Tiranë, 13 gusht, Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demorkatike, Klevis Balliu deklaroi sot se “PD do të ketë gati një paketë të plotë për emergjencat dhe një program antizjarr”.
Në një deklaratë për mediet, Balliu foli për situatën e zjarreve në vend ndërsa reagoi ndaj menxhimit të situatës nga ana e institucioneve shtetërore.
“Paaftësia për të mbrojtur qytetarët, pasuritë e tyre dhe territorin e vendit është shenja kryesore e kësaj qeverisjeje, dhe zjarret vetëm e kanë nxjerrë në pah këtë fakt në mënyrë dramatike. Në rrezik nuk janë vetëm shtëpitë, pyjet, kullotat dhe lagjet e qyteteve, por edhe jeta e qytetarëve dhe e zjarrfikësve, të cilët përballen me flakët pa pajisjet e nevojshme”, u shpreh Balliu.
Sipas tij, “kjo nuk është thjesht paaftësi, por është një dështim kriminal në prioritetet e një qeverie që ka para për gjithçka, përveç sigurisë së shqiptarëve”.
“Përgjegjësia nuk mund të fshihet pas deklaratave të ministrive apo propagandës televizive. Besfort Lamallari, si Ministër i Brendshëm, duhet të përgjigjet se si strukturat që varen prej tij nuk kanë kapacitetet e nevojshme për një situatë që përsëritet çdo vit. Zjarrfikësit nuk mund të dërgohen në frontin e zjarrit sikur po shkojnë për të mbjellë pemë. Çdo zjarrfikës që futet në flakë pa pajisjet e duhura është dëshmi e dështimit të shtetit”, shtoi ai.
Balliu siguroi se “Partia Demokratike angazhohet fuqimisht që, me ardhjen në qeveri, do të ketë si pjesë të planit qeverisës një Paketë të Plotë për Emergjencat, me një Program Antizjarr, të hartuar nga ekspertë vendas dhe të huaj, si dhe një buxhet të rritur dhe të përshtatshëm”.
“Ne do t’i japim fund asaj që në letër paraqitet si ‘Rilindje 2.0’, por në realitet është një fasadë prej varaku që bie sapo Shqipëria përballet me zjarr, përmbytje apo çdo krizë tjetër civile”, theksoi ai.
