Shkup, 3 shtator, Zhurnal.mk – Çështja e banimit është një nevojë jetike për çdo individ, e aq më shumë për gjeneratat e reja dhe çiftet që sapo nisin jetën e tyre. Dilema mes blerjes së një banese apo marrjes me qira nuk sjell më dallim, sepse në të dyja rastet kostoja është e papërballueshme. Çmimet e banesave dhe qirave kanë arritur nivele të paimagjinueshme, ndërsa institucionet shtetërore qëndrojnë duarkryq pa ndërmarrë masa konkrete për të ndalur këtë krizë sociale. Për shumë të rinj, zgjidhja e vetme mbetet migrimi një fenomen që po zbraz vendin nga energjia e tij më vitale, shkruan Zhurnal.
Mbi 300 mijë banesa të pabanuara, por çmimet e pronave vazhdojnë të rriten
Paradoksi i tregut të patundshmërive në Maqedoninë e Veriut është i qartë ndërsa mijëra banesa të reja ndërtohen çdo vit, një pjesë e madhe e banesave ekzistuese mbeten të zbrazëta. Nga viti 2020 deri në vitin 2025 janë ndërtuar 36.281 banesa, ndërsa vetëm në qershor të vitit 2026 janë lëshuar leje për 754 banesa të reja. Megjithatë, regjistrimi i vitit 2021 tregoi se 307.187 banesa, ose 36,6 për qind e totalit, ishin të pabanuara.
Ky disproporcion mes ofertës dhe kërkesës nuk ka sjellë ulje të çmimeve, përkundrazi. Në qendër të Shkupit, një apartament prej 50 metrash katrorë është shitur për 168 mijë euro, ndërsa në Ohër një apartament prej 66 metrash katrorë ka arritur çmimin prej 211.200 eurosh. Këto transaksione, edhe pse nuk përfaqësojnë mesataren, tregojnë qartë se tregu është i orientuar drejt spekulimit dhe jo nevojës reale të qytetarëve.
Sipas Entit Shtetëror të Statistikave në tremujorin e dytë të vitit 2026 janë regjistruar 6.221 shitje, një rritje prej 20,2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, marrëveshjet e qirasë kanë rënë me 16,8 për qind, duke dëshmuar se edhe qiraja po bëhet e papërballueshme.
Ky realitet tregon se banesat e pabanuara po shndërrohen në kapital të ngrirë, ndërsa qytetarët mbeten pa mundësi për strehim të denjë. Pa ndërhyrje ligjore, ky fenomen rrezikon të kthehet në krizë të përhershme.
Çiftet e reja më shumë goditen nga ky realitet që për të blerë banesë duhet të punosh një jetë
Çiftet e reja janë kategoria më e goditur nga ky realitet. Pas barrës së studimeve dhe sfidave të punësimit, ata ngecin tek vendbanimi një pengesë që shpesh i detyron të shtyjnë planet për pavarësi dhe krijim familjar. Për shumë prej tyre, blerja e një banese është e barabartë me një jetë të tërë pune, shpesh edhe me dy paga të kombinuara.
Statistikat tregojnë se për të blerë një banesë në Shkup, një individ duhet të punojë deri në 17 vjet pa shpenzuar asnjë denar për nevoja të tjera jetësore. Ky hendek mes të ardhurave dhe çmimeve të patundshmërive e bën të pamundur që çiftet e reja të sigurojnë strehim pa ndihmën e prindërve ose pa hyrë në kredi afatgjata me interesa të larta. Në vend që të investojnë në të ardhmen e tyre, ata detyrohen të mbijetojnë mes qirave të larta dhe kredive të rënda.
Ky realitet jo vetëm që i pengon të rinjtë të ndërtojnë jetën e tyre në vend, por i shtyn drejt migrimit.
Kujtojmë që, pa masa ligjore që të detyrojnë shfrytëzimin e banesave të zbrazëta dhe pa politika që të rregullojnë çmimet e qirasë dhe metrit katror, Maqedonia e Veriut rrezikon të humbasë gjenerata të tëra. Banesat e pabanuara, sikurse tokat e papunuara, janë pasuri e ngrirë që nuk i shërben askujt, ndërsa qytetarët mbeten pa strehë. /Zhurnal.mk
