Banka Popullore shënon Ditën Botërore të Kursimit dhe Ditët e Edukimit Financiar

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Me qëllim forcimin e edukimit financiar, nxitjen e përfshirjes financiare dhe rritjen e vetëdijes dhe mbrojtjes së konsumatorëve gjatë përdorimit të produkteve dhe shërbimeve financiare në kushtet bashkëkohore të digjitalizimit, nga 28 tetori deri më 5 nëntor do të organizohen një sërë aktivitetesh në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Kursimit, më 31 tetor, dhe Ditëve të Edukimit Financiar.

Me rastin e Ditës Botërore të Kursimit, më 31 tetor, Banka Popullore do të organizojë një punëtori për kursimin me nxënës të një shkolle fillore, e cila do të mbahet në hapësirat e shkollës, ndërsa më pas nxënësit do të vizitojnë Bankën Popullore, ku do të njihen me punën e institucionit. Gjithashtu, në Bankën Popullore do të organizohen ligjërata edukative dhe një kuiz për nxënësit e një shkolle të mesme.

Në kuadër të bashkëpunimit me Unionin e Nxënësve të Shkollave të Mesme, këtë vit nxënësit do të vizitojnë Bankën Popullore, ku do të organizohet një tribunë me temën: “Rëndësia e kursimit për ekonominë dhe individin”, në të cilën gjimnazistët do të kenë mundësi të diskutojnë për paratë, kursimin, investimin dhe menaxhimin e financave personale.

Në kuadër të Ditëve të Edukimit Financiar, Banka Popullore do të organizojë një ngjarje virtuale me temën “Përfshirja financiare gjinore”, e cila do të mbahet më 4 nëntor 2026. Ligjëratën do ta mbajë Elizabeth Naumovski, e cila jeton në Kanada dhe është ligjëruese e njohur në fushën e edukimit financiar dhe folëse motivuese për gratë.

Po ashtu, në bashkëpunim me Bankën Botërore, Banka Popullore do të publikojë një video edukative me temën: “Si të dërgoni para në vendlindje përmes SEPA-s – Zona e Vetme Evropiane e Pagesave”, me qëllim informimin e qytetarëve për përparësitë e pagesave dhe transfertave ndërkufitare në euro me më shumë se 40 vende anëtare të SEPA-s.

Ndër të tjera, Banka Popullore do të organizojë edhe vizita në shkolla fillore në mjediset rurale të vendit, në kuadër të karavanit rural, me qëllim njohjen e nxënësve me funksionet dhe detyrat e Bankës Popullore.

Banka Popullore tashmë për të katërmbëdhjetin vit me radhë e shënon Ditën Botërore të Kursimit. Ndërkaq, Ditët e Edukimit Financiar organizohen për herë të dhjetë dhe realizohen nga institucionet rregullatore financiare: Banka Popullore, Ministria e Financave, Komisioni për Mbikëqyrjen e Tregut të Kapitalit, Agjencia për Supervizion të Sigurimit Pensional me Kapital (MAPAS) dhe Agjencia për Supervizion të Sigurimeve, në bashkëpunim me sektorin privat financiar dhe organizatat e shoqërisë civile.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër