Barcelona “sakrifikon” për Silvën – zbulohet paga që do ta bindë portugezin

Nga D. V.
710 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Mesfushori portugez Bernardo Silva mund ta vazhdojë karrierën te Barcelona pas përfundimit të kontratës së tij me Manchester Cityn në fund të muajit qershor.

Sipas raportimeve nga The Times, klubi katalunas po punon për transferimin e 31-vjeçarit si lojtar i lirë. Barcelona e sheh Silvën si një përforcim me përvojë dhe cilësi të lartë për repartin ofensiv të mesfushës.

Në garë për shërbimet e portugezit janë edhe Atletico Madridi dhe Benfica, megjithatë prioriteti i lojtarit vazhdon të jetë kalimi në “Camp Nou”.

Silva po e shqyrton gjithashtu mundësinë që ta mbyllë karrierën te Benfica, por beson se ende mund të luajë në nivelin më të lartë evropian.

Raporti thekson se Barcelona pritet t’i ofrojë një pagë prej rreth 90 mijë eurosh në javë, shumë më e ulët se ajo që përfiton aktualisht te Manchester City.

Megjithatë, aspekti financiar nuk konsiderohet vendimtar për mesfushorin portugez, i cili e kupton rolin që mund të ketë në këtë fazë të karrierës së tij.

Bernardo Silva iu bashkua Manchester Cityt në vitin 2017 dhe gjatë nëntë sezoneve me klubin anglez ka zhvilluar 460 ndeshje.

Me “Citizens”, ai ka fituar plot 20 trofe, përfshirë gjashtë tituj të Ligës Premier, një Ligë të Kampionëve, tre FA Cup, pesë Carabao Cup, tre Community Shield, Kupën e Botës për Klube dhe Superkupën e UEFA-s.

Gjatë aventurës së tij në “Etihad”, Silva ka regjistruar gjithashtu 76 gola dhe 75 asistime.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër