Bardhi: Zvarritja për imunitetin e Ballukut, strategji për të bllokuar SPAK-un

nga D. V.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot ndaj vendimit të Kuvendit për të shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Zvarritja e çështjes Balluku, si në Parlament ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese, nuk është rastësi, por një operacion i koordinuar politik për të bllokuar SPAK-un dhe për të mbrojtur korrupsionin në majë të pushtetit”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, të njëjtën strategji ka ndjekur edhe Gjykata Kushtetuese, e cila dje shtyu pa afat vendimmarrjen për Belinda Ballukun.

“Sot, Kuvendi i Shqipërisë ka vijuar të njëjtën linjë: është shtyrë, pa asnjë arsye të ligjshme, mbledhja e Këshillit të Mandateve, me justifikimin se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse masa e re e sigurisë që kërkon SPAK ndaj Ballukut nuk ka asnjë lidhje me çështjen e pezullimit nga detyra”, shtoi Bardhi.

Si shtyrja nga Gjykata Kushtetuese, ashtu edhe shtyrja nga Kuvendi, për Bardhin, “janë hallka të të njëjtit zinxhir mbrojtës, të komanduar politikisht nga Edi Rama”.

“Për shkak se ka marrë një vendim pezullimi të vendimit të GJKKO-së, Gjykata Kushtetuese ka detyrimin ligjor të shqyrtojë këtë çështje me përparësi dhe të konkludojë me një vendimmarrje që zhbllokon veprimtarinë hetimore të SPAK”, shtoi Bardhi.

Çdo vonesë, sipas tij, “është shërbim i drejtpërdrejtë për Edi Ramën, për të blerë kohë kundër drejtësisë, dhe për Ballukun, për prishje provash, intimidim dëshmitarësh dhe vijim të aferave korruptive me vlerë miliona euro”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More