Shkup, 23 gusht – Një subjekt serioz politik duhet të jetë i përgatirur të veprojë në çfardo rrethana që krijohen në skenën politike. Nuk mund të quhet subjekt serioz një parti e cila është përgatitur të vepron vetëm nga pozita e pushtetit, ose nga pozita e opozitës. Kjo si duket po i ndodh në vazhdimësi Bashkimit Demokratik për Integrim. Në bazë të disa reagimeve të saj, krijohet bindja se kanë menduar që gjithonë do të jenë në pushtet dhe asnjëherë nuk u është besuar se do të shkojnë në opozitë, prandaje edhe nuk po dinë sa duhet të sillen në rolin e ri, sado që kanë kuadër të mjaftueshëm politico-partiak.
Një reagim i cili kufizohet me skandal ka ardhur nga selia e integristëve gjatë ditës së sotme, ku kanë akuzuar se “me postime lavdëruese në profilet e tyre në Facebook, xhentëllmeni dhe ndërtuesi sipërmarrës Izet Mexhiti dhe doktor % Arben Taravari, nxituan ti marrin meritat për “lirimin” e ish ushtarit të UÇK-së”.
BDI ka shkuar edhe më larg, sa që vlerëson se “MPB dhe Prokurororia duhet ti marrë në pyetje dhe ti mban të përgjegjshëm për rolin e tyre në “lirimin” e Ramadanit!”.
“A pajtohen në veçanti Mexhiti, por edhe Taravari, Kasami, Gashi, Qoku, me VMRO DPMNE që gjykatësi Pajazit Pajaziti është përgjegjës për ikjen? A po konsiderojnë aë përgjegjesi ka MPB si në gjithë botën?
Si e komentojnë Mexhiti, por edhe Taravari, Kasami, Gashi, Qoku vendimin e Gjykatës Supreme që rrezikon të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të ekstradohen në Serbi?
Mungesa e legjitimitetit zgjedhor që rrjedh nga vullneti i popullit të bën të preferuar të VMROsë, por të lë të pafuqishëm dhe të bën veçse shërbëtor, hyzmeçar, pa pikë dinjiteti”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Reagimi i BDI-së ka ardhur pak pas reagimit të LSDM-së në këtë temë. Është shumë e natyshme që dy parti opozitare të koordinohen mes veti kur reagojnë për çështje të caktuara, por nuk është aspak e natyrshme që BDI dhe LSDM të kenë ndonjë koordinim eventual lidhur me çështjen e Blerim Ramadanit, kuptohet nëse BDI është ajo çka deklarohet në opinion, e jo diçka tjetër. Sepse reagimi i LSDM-së nuk është vetëm një akuzë politike ndaj disa figurave të VEN-it, por në njëfarë mënyre është kërkesë që Blerim Ramadani të kthehet në burg, gjë që pastaj mund të implikon edhe ekstradimin e tij në Serbi.
Deputeti i LSDM-së Mitko Trajçuleski sot në një konferencë për media thase kanë dëshmi nga “informatorët” se Ramadani e ka lëshuar vendin dhe ka shkuar në Kosovë – me 10 gusht me Naim Ramukën, kryeshefin e kufirit verior me Kosovën, ndërsa me 14 gusht, kur dhe u arratis nga vendi, është transportuar nga një punonjës i komunës së Çairit me urdhër të Ramukës. Dhe në të dyja rastet kufirin e Bllacës e kanë kaluar nëpër korsinë e mallrave pa asnjë kontroll.
Trajçuleski kërkoi nga Prokuroria Themelore Publike (PTHP) hetim urgjent të rastit, të deklasifikohen incizimet e kamerave në VK Bllacë në mënyrë që i gjithë opinioni të shohë se ajo që pretendojnë është e vërtetë, si dhe dorëheqje të parevokueshme nga Toshkovski dhe të gjithë personat për të cilët kanë informacione se janë të përfshirë në organizimin e arratisjes së Ramadanit.
Siç tha ai, për transportin e Ramadanit në Kosovë me 10 gusht, kur ai duhej të ishte në arrest shtëpiak, sipas informacioneve të LSDM-së është angazhuar Ramuka.
Pas këtij qëndrimi të LSDM-së, parashtrohet pyetja se a pajtohet BDI që Blerim Ramadani të kthehet në paraburgim dhe pastaj të ekstradohet në Serbi? Kjo sigurisht se do t’i krijonte BDI-së teren të përshtatshëm për të kritikuar dhe sulmuar VLEN-in se mbajnë faj për ekstradimin e një ish ushtari në Serbi e madje do të mundeshin edhe t’i ftojnë shqiptarët në protesta masive kundër VLEN-it. Por ka disa gjëra për të cilat duhet shtuar pyetja se duhet bë politikë me to? Është koha që edhe BDI t’i thotë dy tre fjalë rreth mendimeve se Blerim Ramadani nuk duhej fare të dërgohet në paraburgim as efektiv, as shtëpiak, por të lirohej në bazë të praktikës së mëhershme gjyqësore, respektivisht dy vendimeve paraprake të Gjykatës Supreme për lirimin e ish ushtarëve nga Kosova që ishin arestuar në Maqedoninë e Veriut në bazë të fletarresteve të INTERPOL-it serb. Çdo heshtje e BDI-së në këtë temë nuk flet mirë për ta, por vetëm se i thellon dyshimet në opinion se për partinë me seli në Reçicë të Vogël ka qenë skenar i preferuar që Blerim Ramadani të ekstradohet në Serbi, e pastaj të kenë argumente për ta sulmuar VLEN-in. Kanë shumë gjëra e tema politike ku mund ta sulmojnë VLEN-in, por në një rast si ky është mirë për BDI-në sa më shpejtë të ndryshojnë qëndrim dhe të distancohen nga qëndrimet e LSDM-së!
Mënyra se si i kanë formuluar akuzat nënçmuse në adresë të liderëve të VLEN-it tregon se BDI nuk kanë bë asgjë nga mosdija ose naiviteti, por me vetëdije të plotë duke shpresuar se do të krijojnë kontekst politik për të diskredituar VLEN-in, pa u hetuar nga opinioni se në fakt kanë qëllim tjetër në prapavijë. Një gjë e tillë nuk i ka hije as LSDM-së, e cila deri dje merte vota nga shqiptarët, e lëre më BDI-së e cila erdhi në skenë në bazë të sakrificës së shqiptarëve dhe atyre për të cilët tani ndoshta po angazhohet tërthorazi të ekstradohen në Serbi. Ndoshta janë mbyllur në seli dhe kokë më kokë qajnë hallet se si mbetën në opozitë, por duhet të dalin dhe t’i hapin sytë e veshët dhe të dëgjojnë dyshimet prezente në opinion se athua partia “blu” deshi t’i shfrytëzon “instalimet” e saj në gjykata e prokurori për të krijuar një situatë në të cilën do të përfitonin pikë politike në kurriz të fatit të Blerim Ramadanit./Zhurnal

