BDI: Jo vetëm një, por pesë tenderë për kushëririn e drejtorit të VLEN-it në “Bardovci”

Nga I.A
872 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 gusht, Zhurnal.mk- Arta Bilalli-Zendeli nga BDI sot në koferencë për shtyp tha se skandali në Spitalin Psikiatrik “Bardovci” po thellohet. Ajo theksoi se kompania “Indigo Inc” DOOEL Shkup, e lidhur me kushëririn e drejtorit Isa Avdullai, ka fituar plot pesë tenderë nga spitali pasi ai mori drejtimin e institucionit.

“Faktet janë të qarta: tenderi i parë, i nënshkruar më 15 tetor 2024, vetëm tre muaj pasi Avdullai u emërua ushtrues detyre drejtor, mban madje edhe vetë nënshkrimin e drejtorit. Kontrata ishte me vlerë deri në 600 mijë denarë. Më pas, “Indigo Inc” ka fituar edhe katër tenderë të tjerë, përfshirë tenderin e këtij viti për sisteme IT dhe licenca, me vlerë deri në 2,59 milionë denarë, rreth 42 mijë euro”.

Pronari i kompanisë, Besim Avdullai, është kushëri i drejtorit Isa Avdullai- lidhje familjare të cilën vetë drejtori e ka pranuar. Edhe fakti që pronari ka ndryshuar funksionin drejtues në kompani pak para tenderit të parë nuk e zhduk lidhjen midis tyre. BDI kërkon hetim të plotë nga Antikorrupsioni, Byroja për Prokurime Publike dhe institucionet kompetente për të pesë procedurat: kriteret, ofertat, pjesëmarrësit dhe mënyrën e përzgjedhjes”, tha Bilalli-Zendeli.

Ajo theksoi se nuk mjafton deklarata se procedura është “ligjore” apo se drejtori nuk ka qenë pjesë e komisionit të përzgjedhjes. 
“Kur një kompani e lidhur familjarisht me drejtuesin e një institucioni publik fiton pesë tenderë nga i njëjti institucion, transparenca dhe kontrolli i plotë i procedurave janë detyrim, jo zgjedhje. VLEN-i nuk mund të fshihet pas fjalës “ligjore”. Ligjshmëria duhet të argumentohet me dokumente”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër