Shkup, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar atë se po krijon interpretime të paqena të Kushtetutës dhe ligjeve për të justifikuar, sipas tyre, përjashtimin e gjuhës shqipe dhe cenimin e të drejtave të shqiptarëve.
Nga BDI thonë se deklarata e fundit e Mickoskit, ku arsimin e lartë në gjuhën shqipe e ka cilësuar si një “implant”, dëshmon qasjen e tij përjashtuese ndaj shqiptarëve. Sipas partisë, në Kushtetutën aktuale nuk ekziston asnjë dispozitë që e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe, ndërsa kjo e drejtë është e garantuar me legjislacionin në fuqi.
Kumtesa e plotë:
Që nga ardhja në pushtet, Mickoski çdo ditë na flet për një kushtetutë inekzistente dhe për ligje që nuk ekzistojnë. Deklarata e tij e fundit, se arsimi i lartë në gjuhën shqipe qenka një “implant”, është një tjetër dëshmi e qasjes së tij përjashtuese. Në Kushtetutën në fuqi nuk ekziston asnjë dispozitë që e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe. Përkundrazi, kjo e drejtë është e garantuar me legjislacionin në fuqi.
Është paradoksale që pikërisht Mickoski, i cili me veprimet e tij cenon rendin kushtetues dhe juridik, sot mundohet të interpretojë Kushtetutën, duke e shkelur atë, sipas agjendës së tij politike. Me deklarata të tilla ai nuk bën asgjë tjetër veçse nxit tensione ndëretnike dhe krijon pasiguri juridike në vend. Burimi i tensioneve nuk është arsimi në gjuhën shqipe, por politika që vë në pikëpyetje të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj.
Nuk duhet harruar se VMRO-DPMNE, përmes programit të saj që është pjesë edhe e programit qeveritar, paralajmëroi dhe premtoi shfuqizimin e Balancuesit. Më pas, Gjykata Kushtetuese u vu në qendër të procesit që çoi në shfuqizimin e tij, duke hapur rrugë për shkeljes e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Po ashtu, janë shfuqizuar emërtimet e rrugëve dhe shesheve në Tetovë, ndërsa VMRO-DPMNE është një nga parashtrueset e iniciativave që synojnë shfuqizimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Pikërisht kjo qeveri përjashtoi diasporën nga përllogaritja, dhe rrjedhimisht në mënyrë jokushtetuese dhe joligjore zvogëloi numrin e këshilltarëve nëpër komunat kryesisht shqiptare.
Me këtë qasje, Maqedonia e Veriut po largohet nga parimet e bashkëjetesës, barazisë dhe marrëveshjes mbi të cilat është ndërtuar rendi i saj kushtetues. I bëjmë thirrje Mickoskit të heqë dorë nga retorika përjashtuese, të ndalë nxitjen e tensioneve dhe të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. BDI do të vazhdojë të angazhohet dhe të përballet me çdo përpjekje për cenimin e të drejtave të garantuara, duke mbrojtur sigurinë juridike, barazinë dhe rendin kushtetues të vendit.
Kërkojmë që VLEN-i të distancohet publikisht dhe menjëherë nga këto politika, të braktisë Qeverinë dhe institucionet, përndryshe do të jetë bashkautor dhe bashkëfajtor në këto politika përjashtuese, nxitëse dhe degraduese.
