Shkup, 15 qershor, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj Propozim-ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke e cilësuar atë si një tekst pa garanci juridike dhe pa mekanizma efektivë për zbatim, i cili sipas partisë opozitare rrezikon të dëmtojë parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera.
Në reagimin e saj, BDI vlerëson se ligji i promovuar nga VLEN dhe i hartuar nga profesoresha Tatjana Karakamisheva nuk mund të konsiderohet ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, pasi, sipas tyre, ai nuk përmban instrumente konkrete që do të garantonin zbatimin e tij në praktikë.
BDI thekson se ligji nuk parashikon kuota etnike, nuk krijon mekanizma institucionalë për mbikëqyrjen e zbatimit dhe nuk përmban sanksione ndaj institucioneve apo drejtuesve që nuk e respektojnë atë.
Sipas BDI-së, problematik mbetet edhe koncepti mbi të cilin është ndërtuar propozim-ligji. Nga partia vlerësojnë se meritokracia është vendosur si kriter parësor, ndërsa përfaqësimi etnik si kriter dytësor, gjë që sipas tyre mund të ndikojë negativisht në përfaqësimin e shqiptarëve në administratën publike.
“Deri më tani, meritokracia zbatohej brenda kuadrit të përfaqësimit të garantuar për secilin komunitet. Tani ky parim përmbyset në dëm të balancës etnike”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI gjithashtu kundërshton deklaratat e përfaqësuesve të VLEN-it se drejtuesit e institucioneve mund të shkarkohen në rast të moszbatimit të ligjit, duke argumentuar se një masë e tillë duhet të jetë e përcaktuar shprehimisht në vetë tekstin ligjor.
“Në një shtet të së drejtës, çdo masë disiplinore, përfshirë shkarkimin, duhet të jetë e parashikuar qartë në ligj. Nuk mund të ketë sanksione të shpallura përmes konferencave për shtyp”, theksojnë nga BDI.
Sipas BDI, në vend që të forcojë garancitë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, si një nga parimet që burojnë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, propozim-ligji i dobëson ato dhe e zhvendos mbrojtjen e këtij parimi nga norma juridike detyruese në interpretim administrativ.
BDI rithekson se mbetet e përkushtuar ndaj një sistemi që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat përmes dispozitave të qarta ligjore, mekanizmave të zbatueshëm dhe përgjegjësisë institucionale për çdo shkelje të mundshme.
