BDI: Qeveria humb rreth 70 milionë euro nga BE për shkak të reformave të parealizuara, reagon BDI

Nga D. V.
447 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 maj, Zhurnal.mk – Sipas të dhënave të publikuara për realizimin e agjendës reformuese, shteti ka humbur rreth 70 milionë euro ndihmë nga Bashkimi Evropian për shkak të mosrealizimit të reformave të planifikuara.

Nga gjithsej mbi 134 milionë euro reforma të parapara, Bashkimi Evropian ka miratuar vetëm 65.7 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur e parealizuar për shkak të, siç thuhet, mungesës së kapaciteteve institucionale dhe dështimeve në zbatimin e reformave, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas BDI-së, humbjet më të mëdha janë regjistruar në ministritë kyçe që lidhen me procesin e reformave evropiane.

“Ministria e Drejtësisë rezulton me mbi 37 milionë euro reforma të parealizuara, ndërsa Ministria e Financave dhe Ministria e Energjetikës me nga mbi 23 milionë euro secila. Pas tyre vijnë Ministria e Arsimit, Ministria e Mjedisit Jetësor, administrata publike dhe sektorë të tjerë kyç”, thuhet në reagim.

Nga BDI vlerësojnë se “aty ku duhej të kishte reforma, ka stagnim, ndërsa aty ku duhej të kishte rezultate, ka humbje”.

Partia opozitare thekson se çdo euro e humbur nënkupton më pak investime në shkolla, spitale, infrastrukturë, energjetikë dhe në standardin e qytetarëve.

Në reagim thuhet gjithashtu se, ndërsa vendet e rajonit avancojnë në procesin evropian dhe sigurojnë më shumë mbështetje financiare nga BE-ja, “kjo qeveri po e izolon vendin përmes paaftësisë dhe propagandës së përditshme”.

BDI ka kërkuar përgjegjësi institucionale për, siç thotë, dështimin e reformave dhe humbjen e mjeteve evropiane, duke ngritur pyetjet se kush i ka dështuar reformat dhe kush do të mbajë përgjegjësi për humbjen e fondeve.

“E ardhmja evropiane nuk mbahet me marketing politik. Ajo kërkon punë, seriozitet dhe institucione funksionale”, thuhet në fund të reagimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër