BE forcon mbështetjen për Ukrainën me disbursime dhe fonde të reja

Nga D V
596 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 08 qershor, Zhurnal.mk – Bashkimi Evropian ka disbursuar edhe 2,8 miliardë euro mbështetje buxhetore për Ukrainën, ndërsa blloku po përgatit masa të reja për të shtuar ndihmën ndaj Kievit.

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se “shpejtësia dhe përkushtimi i Ukrainës në zbatimin e reformave domethënëse e kanë merituar këtë pagesë”. Fondet janë pjesë e një programi prej 50 miliardë eurosh, i krijuar për të mbështetur buxhetin shtetëror të Ukrainës teksa vendi vazhdon reformat dhe mbrohet nga agresioni rus.

Kjo është pagesa e shtatë që Ukraina merr në kuadër të kësaj skeme financimi. Ndërkohë, po shënohet përparim edhe në disa mekanizma të tjerë mbështetës të BE-së, të cilët më parë ishin bllokuar nga ish-kryeministri hungarez Viktor Orbán.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, tha gjatë një takimi të ministrave të Mbrojtjes në Nikozo se Ukraina mund të presë këtë muaj një disbursim prej 5.9 miliardë eurosh nga një mekanizëm i ri huaje me vlerë 90 miliardë euro, i destinuar për mbështetjen e ushtrisë dhe financave të saj.

Ministrat e BE-së kanë nisur gjithashtu diskutimet për përdorimin e 6,6 miliardë eurove nga një fond i veçantë armësh. Sipas Kallas, fondet mund të përdoren për të rimbursuar pjesërisht vendet anëtare për dërgesat e mëparshme të armëve, për blerje të përbashkëta të reja ushtarake dhe për mbështetjen e misionit evropian të trajnimit ushtarak në Ukrainë.

Po ashtu, ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të vendosin javën e ardhshme sanksione ndaj më shumë se 80 individëve dhe entiteteve për mbështetjen e tyre ndaj Rusisë. Masat synojnë sektorin ushtarako-industrial rus, shkelësit e të drejtave të njeriut dhe propagandistët pro-Kremlinit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër