Shkup, 23 mars, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut deri më tani ka realizuar 35% të reformave të parashikuara me Planin e Rritjes për të mundur përfituar nga fondi i ri i 6 miliardë euro BE-së për projekte të ndryshme.
Përparim më të madh ka në fushën e digjitalizimit, ndërsa më dobët jemi në ato më të rëndësishme dhe më të vështirat – luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit. Megjithatë, pavarësisht bllokadës së vendit në rrugën evropiane për shkak të kontestit me Bullgarinë, gjatë vitit 2025 ka pasur rritje të mbështetjes për anëtarësimin. Por pyetja që shtrohet është se çfarë po bën kjo qeveri në rrugën e anëtarësimit drejt BE-së, shkruan “Zhurnal.mk”.
Maqedonia e Veriut ka thithur vetëm 9% të fondeve të BE-së
Prej 750 milionë eurove të parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, Maqedonisë së Veriut iu është dërguar deri tani vetëm 70 milionë apo 9% të kësaj shume.
Ndërsa fondet e tjera ka afat që t’i fitojë deri në fund të vitit 2028, nëse i realizon reformat e kërkuara në administratë, financa, arsim, ekonomi, digjitalizim, ekologji e sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit e të tjera. Megjithatë qytetarët e vendit fare nuk janë të njoftuar me këtë proces, thotë një hulumti i ri.
Sipas hulumtimit të Institutit për Demokraci Societas Civilis, vetëm 10% e qytetarëve janë të njoftuar mirë, 42% e të tjerave kanë dëgjuar, por nuk i dinë detajet, ndërsa 43% fare nuk kanë dëgjuar.
Është e domosdoshme që qytetarët të dijnë se çfarë ndodhë në rrugën e BE-së sepse kur qytetarët do të dinë se duhet të realizohen ato reforma, do të ekzistojë trysnia publike për realizimin e këtyre reformave.
Është befasuese që pas shumë viteve, të rënies së vazhdueshme në mbështetjen për anëtarësim në BE, në vitin 2025 ka rritje prej afërsisht 10% që do të thotë se tani mbështetja për Bashkimin Evropian ka arritur në 71%.
Qytetarët ende e shohim Bashkimin Evropian si donator dhe aleat më të madh, e partner që jep ndihmë financiare e ekonomike, prandaj interesimi i qytetarëve për anëtarësim është më i madh. Qeveria duhet që të shfrytëzojë momentin dhe me reformat e bëra të përfitojë edhë më shumë fonde në të ardhmen, shkruan “Zhurnal.mk”.
Çfarë kriteresh duhet të plotësojnë shtetet për anëtarësim në BE?
Kriteret e Kopenhagenit përcaktojnë standardet që një vend duhet të përmbushë përpara se të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Në aspektin politik, kandidatët pritet të kenë institucione të qëndrueshme demokratike, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e pakicave kombëtare.
Miratimi i raportit mbi strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian të Komisionit Evropian nga ana e Parlamentit Evropian në fillim të këtij muaji, e vuri edhe një herë çështjen e gatishmërisë së vendeve kandidate për anëtarësim në bllokun evropian në fokusin e publikut dhe aktorëve politikë.
Të miratuara në vitin 1993 në samitin e Këshillit Evropian të Kopenhagenit, ato ende përfaqësojnë kornizën bazë të politikës së zgjerimit dhe një pikë referimi kyçe për vlerësimin e progresit të kandidatëve.
Në praktikë, kjo do të thotë zgjedhje të lira dhe të ndershme, një gjyqësor të pavarur, liri të medias dhe një sistem funksional të ndarjes së pushteteve që garanton llogaridhënie politike dhe stabilitet institucional.
Kriteret ekonomike i referohen ekzistencës së një ekonomie tregu funksionale dhe aftësisë së vendit për t’i bërë ballë presioneve konkurruese dhe mekanizmave të tregut brenda tregut të vetëm evropian.
Kjo përfshinë zbatimin e reformave strukturore, forcimin e sektorit privat, financat publike të qëndrueshme, kontrollin e inflacionit dhe përmirësimin e klimës së investimeve dhe biznesit.
Segmenti i tretë mbulon kriterin ligjor, përkatësisht detyrimin e vendit kandidat për ta përafruar gradualisht legjislacionin e tij me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe për të siguruar zbatimin e plotë të tyre në praktikë.
Ky është një sistem kompleks rregulloresh që mbulon një gamë të gjerë politikash publike, nga konkurrenca dhe energjia, përmes mbrojtjes së mjedisit dhe bujqësisë, deri te fushat e drejtësisë, sigurisë dhe luftës kundër korrupsionit. Negociatat e anëtarësimit janë strukturuar pikërisht përmes kapitujve të negociatave që shoqërojnë këtë transformim ligjor dhe institucional.
Me kalimin e viteve, është theksuar më tej rëndësia e kapacitetit administrativ, pra aftësia e institucioneve shtetërore për të zbatuar në mënyrë efektive standardet evropiane dhe për të menaxhuar fondet e BE-së. Pa një administratë publike profesionale dhe funksionale, miratimi formal i ligjeve nuk konsiderohet një tregues i mjaftueshëm i gatishmërisë për anëtarësim, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ende shumë rrugë duhet për plotësimin e kritereve të BE-së!
Edhe pse në opinion vazhdimisht flasim për procesin politik të bllokimit të rrugës së BE-së, ku mbi të gjitha është kushti për ndryshimin e Kushtetutës dhe vendosja e Bullgarëve si pakicë kombëtare në Maqedoninë e Veriut, qeveria megjithatë duhet që të zbatojë një gamë të kushteve të tjera të reformave përpara anëtarësimit.
Maqedonia e Veriut po ngecë në reformat e kërkuara në administratë, financa, arsim, ekonomi, ekologji e sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Kriteret e Kopenhagenit mbeten instrumenti qendror për vlerësimin e progresit të vendeve kandidate, ndërsa vendimi përfundimtar për pranimin e një anëtari të ri merret nga shtetet anëtare të BE-së me konsensus politik. Procesi i përmbushjes së tyre, siç tregon raporti i fundit i Komisionit Evropian mbi strategjinë e zgjerimit, nuk është vetëm një çështje teknike e harmonizimit të rregulloreve, por një proces shoqëror afatgjatë dhe kompleks i transformimit të institucioneve, ekonomisë dhe sistemit politik.
Maqedonia e Veriut është në një pikë kthese, por edhe me një derë të hapur për në Bashkimin Evropian. Agjenda e Reformave 2024–2027, e mbështetur nga Komisioni Evropian, është një udhërrëfyes i qartë për transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë, me qëllime specifike dhe rezultate të pritura.
Qeveria thekson se po bën reforma për qytetarët dhe jo vetëm për hir të anëtarësimin në BE, sepse kjo është për një standard më të mirë jetese, shërbime publike me cilësi më të mirë dhe një të ardhme ekonomike të qëndrueshme.
Vitet e fundit ka pasur një sërë krizash – pandemia, kriza energjitike, tronditjet e çmimeve, lufta në Ukrainë dhe tani lufta në Iran, të cilat kanë imponuar ndërhyrje të forta fiskale. Kjo ka bërë që edhe qeveria por edhe qytetarët të jenë më të vetëdijshëm se Maqedonia e Veriut mund t’iu bëjë ballë këtyre sfidave globale vetëm nën ombrellën e NATO-s dhe BE-së.
Prandaj qeveria duhet të përshpejtojë të gjitha veprimet që çojnë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, shkruan “Zhurnal.mk”.
BE-ja mjaft po bën për Maqedoninë e Veriut – po çfarë po bëjmë ne në rrugën e BE-së?
420
Artikulli i mëparshëm

