Begaj pret Gashin: Ligji për përfaqësimin adekuat dhe Marrëveshja e Ohrit nuk janë për diskutim, janë për zbatim

Nga Xh M
369 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 14 prill Zhurnal.mk – Presidenti Bajram Begaj priti këtë të martë kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. Takimi u fokusua në marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, problematikat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të drejtat e tyre me fokus në gjuhën shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucione dhe nevojën e bashkimit të faktorit politik shqiptar kur bëhet fjalë për të mbrojtur çështjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Për Presidentin Begaj, “ligji për përfaqësimin adekuat dhe Marrëveshja e Ohrit nuk janë për diskutim, janë për zbatim!”. Begaj kërkoi angazhimin e kryeparlamentarit Gashi në zgjidhjen e kërkesave të studentëve të Jurisprudencës për të dhënë provimin në gjuhën shqipe.

“Unë uroj që studentëve që protestojnë për dhënien e provimit në gjuhën shqipe t’u lejohet kjo e drejtë dhe të rregullohet ky mekanizëm në mënyrë ligjore e të drejtë”, u shpreh Presidenti Begaj.

“Shqiptarët janë faktor shtetformues në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në një shtet multietnik bashkëjetesa dhe mirëkuptimi ndërmjet etnive janë shumë të rëndësishme. Garantimi institucional me kornizë ligjore detyruese i të drejtave të fituara dhe jo produkt i balancave të rastësishme është një garanci më shumë per avancimin real të Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt proceseve integruese në BE”, theksoi Kreu i Shtetit.

Fuqizimi i Diasporës shqiptare, e cila për Presidentin Begaj është ”fuqia dhe zemra e kombit”, ishte, gjithashtu, një ndër temat që u diskutua në takim.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër