Begaj pret kryeparlamentarin kroat, integrimi në BE i Shqipërisë dhe bashkëpunimi rajonal në fokus

Nga Xh M
736 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 8 qershor Zhurnal.mk – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në takim kryeparlamentarin e Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, ku u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimin evropian të Shqipërisë.

Begaj bëri të ditur se gjatë takimit u fol mbi partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, duke theksuar se ato mbështeten në prioritete të njëjta të politikës së jashtme dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti shqiptar nënvizoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit ndërparlamentar në forcimin e këtyre lidhjeve.

Kreu i shtetit vlersoi mbështetjen e vazhdueshme politike të Kroacisë ndaj procesit të rrugëtimit evropian të Shqipërisë, si dhe për ndarjen e përvojës dhe ekspertizës së saj gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Rruga juaj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian vazhdon të na frymëzojë, duke treguar se reformat e vendosura, të udhëhequra nga një vizion i qartë evropian, sjellin rezultate të prekshme për qytetarët dhe të gjithë rajonin”, tha Begaj.

Më tej, ai theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për anëtarësimin e plotë në BE, duke vënë në dukje se vendi ka hyrë tashmë në një fazë të re dhe vendimtare të procesit.

“Fokusi ynë është mbyllja e kapitujve dhe finalizimi i negociatave”, deklaroi Begaj, duke shprehur besimin se Shqipëria do të vijojë të ketë mbështetjen e Kroacisë dhe institucioneve të saj.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal për garantimin e sigurisë dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kuadër, Begaj vlerësoi mbështetjen e Kroacisë për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat rajonale dhe euroatlantike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër