Shkup, 24 nëntor Zhurnal.mk – Që nga viti 2004, financimi i Bankës Evropiane të Investimeve ka mbështetur 37 projekte strategjike rrugore në rajon, duke mobilizuar gjithsej 6,9 miliardë euro investime.
BEI ka kontribuar në përmirësimin e më shumë se 4.700 kilometrave rrugë kryesore dhe dytësore në Ballkanin Perëndimor.
Në vitin 2025, banka nënshkroi marrëveshje financimi prej 1,3 miliardë eurosh për projekte në vendet kandidate për anëtarësim në BE dhe në vendet e Fqinjësisë Lindore.
Gjatë vitit të kaluar, financimi për klimën dhe qëndrueshmërinë mjedisore jashtë BE-së arriti në 5,1 miliardë euro.
Ballkani Perëndimor ka përfituar 3,4 miliardë euro financim nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) që nga viti 2004, për realizimin e projekteve strategjike të infrastrukturës rrugore. Sipas Raportit të Ndikimit Global të BEI-t për vitet 2025–2026, ky financim ka mbështetur përmirësimin dhe ndërtimin e 37 projekteve në rajon, duke mobilizuar gjithsej 6,9 miliardë euro investime.
Mbështetja e bankës evropiane ka kontribuar në përmirësimin e më shumë se 4.700 kilometrave rrugë kryesore dhe dytësore në Ballkanin Perëndimor. Prej tyre, rreth 1.600 kilometra janë pjesë e Rrjetit Transevropian të Transportit (TEN-T), një prej prioriteteve të Bashkimit Evropian për zhvillimin e ndërlidhjes dhe lehtësimin e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave.
Gjatë vitit 2025, BEI nënshkroi marrëveshje për projekte të rëndësishme infrastrukturore rrugore dhe hekurudhore, përfshirë modernizimin e hekurudhave në Shqipëri, përgjatë Korridorit VIII. Këto investime synojnë të përmirësojnë ndërlidhjen rajonale, të nxisin kalimin drejt transportit më të qëndrueshëm, të krijojnë vende të reja pune dhe të lehtësojnë tregtinë.
Projektet mbështeten gjithashtu përmes qasjes “Ekipi Evropë”, e cila ndërthur financimin me kushte të favorshme, grantet e Bashkimit Evropian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe asistencën teknike.
“BEI ka mbështetur prej kohësh përmirësimin e infrastrukturës së transportit në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Richard Amor, drejtor i BEI-t për operacionet në vendet e zgjerimit dhe të fqinjësisë së BE-së.
“Lidhjet më të mira të transportit përkthehen në kohë më të shkurtra udhëtimi, kosto më të ulëta transporti dhe qasje më të mirë në treg, duke ndihmuar në forcimin e integrimit rajonal, përthithjen e investimeve dhe mbështetjen e rritjes së qëndrueshme”, theksoi Amor.
Mbështetje përmes strategjisë Global Gateway
Deri në fund të vitit 2025, BEI përmbushi zotimin për të mbështetur investimet me vlerë prej 100 miliardë eurosh në kuadër të strategjisë së Bashkimit Evropian “Global Gateway”. Kjo nismë synon të mobilizojë deri në 300 miliardë euro deri në vitin 2027 për investime strategjike në mbarë botën.
Në kuadër të kësaj strategjie, BEI nënshkroi, ndër të tjera, një kredi prej 150 milionë eurosh për përmirësimin e rrjetit rrugor në Serbi, me synim rritjen e ndërlidhjes, sigurisë rrugore dhe qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.
Në një kontekst më të gjerë, gjatë vitit 2025, banka nënshkroi marrëveshje financimi në vlerë prej 1,3 miliardë eurosh për projekte në sektorë të ndryshëm në vendet kandidate për anëtarësim në BE, me përjashtim të Ukrainës, si dhe në vendet e tjera të Fqinjësisë Lindore.
Sipas raportit, pas përfundimit, këto projekte pritet të prodhojnë energji elektrike të mjaftueshme për furnizimin e 1,7 milionë familjeve, të përmirësojnë qasjen në shërbimet shëndetësore për 1,2 milionë njerëz dhe të mundësojnë 1,1 milion udhëtime shtesë në vit me transport publik.
5,1 miliardë euro për klimën dhe qëndrueshmërinë mjedisore
Gjatë vitit 2025, Grupi i BEI-t vazhdoi zbatimin e “Udhërrëfyesit për Bankën e Klimës”, duke ndarë 5,1 miliardë euro për projekte dhe masa që lidhen me klimën dhe qëndrueshmërinë mjedisore jashtë Bashkimit Evropian.
Në Ballkanin Perëndimor, ndër investimet kryesore të gjelbra përfshihen financimi i një parku eolik në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe projektet hekurudhore në Shqipëri dhe Mal të Zi.
Përveç mbështetjes financiare, Grupi i BEI-t ofron edhe asistencë teknike për vendet e rajonit, me qëllim përfshirjen e rreziqeve klimatike në planifikimin e projekteve dhe përshpejtimin e investimeve të gjelbra.
Përmes programit të asistencës teknike “Sisteme Financiare të Gjelbra”, banka po mbështet Bosnjë dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në zhvillimin e kornizave për menaxhimin e rreziqeve klimatike, hartimin e taksonomive të gjelbra kombëtare dhe nxitjen e investimeve të qëndrueshme në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
