Budva, 24 nëntor Zhurnal.mk –Çmimi i një metri katror banese në Kroaci është rritur për 73 për qind brenda pesë vjetësh, ndërsa numri i shitjeve është ulur për 31 për qind, tregojnë të dhënat nga analiza e Shoqatës Kroate të Agjentëve të Patundshmërive (HUPN).
Edhe Enti Shtetëror i Statistikave të Kroacisë konstaton të njëjtën mospërputhje mes rritjes së çmimeve dhe rënies së numrit të shitjeve.
Analiza u prezantua nga Filip Brkan, pronar i agjencisë „Imperium Immobiliare“, dhe është realizuar mbi bazën e më shumë se 200 mijë shitjeve të banesave në të gjithë Kroacinë. Përllogaritjet janë bërë duke u bazuar në çmimet reale të kontratave të shitblerjes dhe jo në çmimet e publikuara në shpalljet për shitje.
Gjatë të njëjtës periudhë pesëvjeçare, paga mesatare neto në Kroaci është rritur për 53 për qind.
Rritjen më të madhe të çmimit për metër katror e kanë shënuar banesat e vogla, të cilat janë shtrenjtuar për plot 88 për qind.
Ndërkohë, pjesëmarrja e banesave të shitura me çmim deri në 100 mijë euro ka rënë ndjeshëm, nga 56 për qind në vetëm 16 për qind.
Këtë vit, qyteti më i shtrenjtë për blerjen e një banese është Spliti, ku çmimi mesatar për metër katror arrin në 4.407 euro. Pas tij renditet Dubrovniku me 4.354 euro, ndërsa Zagrebi zë vendin e tretë me 3.440 euro për metër katror.
Diferenca e çmimeve mes Splitit dhe Osijekut është rritur ndjeshëm. Në vitin 2021, dallimi ishte 1.340 euro për metër katror, ndërsa në vitin 2025 arriti në 2.290 euro.
