Shkup, 10 tetor Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka pritur në Qeveri një delegacion të Këshillit Ndërkombëtar të Universiteteve (IUC), të kryesuar nga Prof. Dr. Orhan Hikmet Azizoglu, kryetar i këtij Këshilli.
Në delegacion ishin edhe tetë rektorë të universiteteve nga vende të ndryshme, përfshirë Jordaninë, Pakistanin, Katarin dhe Hungarinë.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në arsimin e lartë, shkëmbimin e përvojave akademike dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet universiteteve.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar në arsimin e lartë është i rëndësishëm për rritjen e cilësisë akademike dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik”, ka theksuar Sali.
Një nga temat e takimit ishte edhe mundësia e përfshirjes së institucioneve të reja të arsimit të lartë nga Maqedonia e Veriut në Këshillin Ndërkombëtar të Universiteteve, krahas dy universiteteve nga vendi që tashmë janë anëtare.
“Bashkëpunimi me institucionet akademike ndërkombëtare krijon mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe për avancimin e arsimit të lartë në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Salit.
