Tiranë, 26 nëntor, Zhurnal.mk – Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, duke folur në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian në Tiranë, tha se Shqipëria ka bërë një përparim shumë të mirë në rrugën dhe aspiratën e saj drejt Bashkimit Europian.
“Gjatë vitit të fundit, Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vendi juaj i ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave në vetëm 13 muaj. Katër kapituj janë mbyllur tashmë. Presim që deri në fund të këtij viti të mbyllet gati një e katërta e të gjithë kapitujve të negociatave.
Shprehja më e dukshme e këtij besimi ishte miratimi, nga vendet anëtare, i raportit të vlerësimit të kritereve të ndërmjetme për sundimin e ligjit, në maj të këtij viti. 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë. Udhërrëfyesi që botuam në fillim të muajit dhe për të cilin folët, zoti Balla, tregon rrugën përpara. Por të gjithë e dimë se një udhërrëfyes në letër nuk është garanci. Sa më shumë i afrohemi anëtarësimit, aq më e rëndësishme bëhet të tregohet se institucionet funksionojnë dhe se ligjet zbatohen në praktikë.
Për shtetet tona anëtare, rezultatet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe përafrimi me legjislacionin mjedisor të BE-së, do të jenë ndër provat më vendimtare. Vëmendja do të jetë te zbatimi dhe te veprimet konkrete.
Në fushën e sundimit të ligjit, prova vendimtare do të jetë mënyra se si autoritetet u përgjigjen hetimeve, përfshirë rastet kur duhet të japin llogari edhe njerëzit me pushtet. Pikërisht në zbatim shihet nëse institucionet janë vërtet të pavarura dhe nëse shoqëria po ndryshon realisht.
E dimë se ngritja e institucioneve që japin llogari është ndër sfidat më të vështira për vendet kandidate. Është e vështirë kudo, edhe në shtetet tona anëtare. Ndryshime të tilla hasin gjithmonë në rezistencë. Ato kërkojnë një vullnet të madh politik.
Sipas meje, shumica dërrmuese e shqiptarëve mbështet anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka mbështetjen më të lartë qytetare për anëtarësimin në BE ndër të gjitha vendet kandidate. Kjo mbështetje e gjerë ju jep mandatin politik për të ndërmarrë reformat e nevojshme. Për ta ruajtur këtë mbështetje dhe për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve, është e rëndësishme t’i përfshini ata në proces. Zbatimi i ligjeve të reja është thelbësor, por po aq rëndësi ka edhe mënyra se si hartohen ato.
Këtu qëndron rëndësia e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian. Ky Këshill është një hapësirë ku e ardhmja evropiane e Shqipërisë diskutohet hapur, ku dëgjohen pikëpamje të ndryshme dhe ku mund të gjendet mirëkuptim”, u shpreh ajo.
