Tiranë, 18 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se një amendament i miratuar në Parlamentin Evropian lidhur me zonat e mbrojtura në Shqipëri kërkon pezullimin e procedurave të reja të pajisjes me leje dhe ndërhyrjeve zhvillimore deri në harmonizimin e plotë të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.
Në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, Berisha lexoi tekstin e amendamentit.
“Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë dëshmojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që rezultojnë për zonat me vlerë ekologjike të njohur”, tha Berisha.
Sipas kreut të PD-së, amendamenti u bën thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat që konsiderohen të papajtueshme me standardet evropiane dhe të garantohet përputhja me kërkesat e Kapitullit 27 për mjedisin.
Berisha tha se “dokumenti kërkon gjithashtu që çdo projekt në këto zona duhet t’i nënshtrohet vlerësimit gjithëpërfshirës të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile”.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha akuzoi qeverinë për mosrespektim të procedurave ligjore.
“Në këtë procedurë, Edi Rama në mënyrë absolute ka shkelur nen për nen ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar. Dhe njëherë theksoj, peizazhet e mbrojtura janë zona në të cilat në rast se vendos zhvillimin, do të bësh një vlerësim gjithëpërfshirës të duhur. Dhe në qoftë se vlerësimi gjithëpërfshirës i duhur rezulton se nuk mund t’i prekësh, nuk mund t’i prekësh.
Në rast se vlerësimi gjithëpërfshirës i duhur lejon që të avancosh më tej, je i detyruar të bësh vlerësimin e mjedisit, vlerësimin e thelluar të mjedisit, vlerësimin e habitatit, janë katër shkallë nëpër të cilat duhet të kalosh. Asnjë prej tyre nuk ka respektuar Edi Rama. Zero!”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, gjithashtu kërkohet që zhvillimi i zonave te mbrojtura të këshillohet me shoqërinë civile dhe komunitetin, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga Konventa e Aarhusit.
