Berisha: Deklarata e Zelenskyt për Kosovën në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare

Nga D. V.
624 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sot ndaj deklaratës së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Beograd, lidhur me qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës.

I pyetur në një konferencë për shtyp, mbi deklaratën e Zelenskyt për pavarësinë e Kosovës, Berisha e cilësoi qëndrimin e presidentit ukrainas si krejtësisht të papranueshëm.

“Sot kemi një deklaratë në të cilën ne shprehim keqardhje për deklaratën e presidentit Zelenski në Beograd për pavarësinë e Kosovës, të cilin ai u shpreh se është e njëanshme”, tha Berisha.

Sipas tij, deklarata e Zelenskyt është në kundërshtim me vendimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, Planin “Ahtisari” dhe qëndrimet e vendeve kryesore anëtare të NATO-s.

“Vjen në kundërshtim të hapur me vendimet e vendeve kryesore anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Vjen në kundërshtim të hapur me të drejtën dhe ligjin ndërkombëtar, të interpretuara ato me kërkesë të Beogradit nga Gjykata Ndërkombëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila është shprehur për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës”, tha Berisha”.

Berisha e cilësoi gjithashtu deklaratën si jashtë çdo konteksti historik, duke theksuar mbështetjen që shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë i kanë dhënë Ukrainës pas nisjes së agresionit rus.

“Nga ana tjetër, deklarata është dhe në një aspekt tjetër jashtë çdo konteksti historik. Shqiptarët janë një komb mik me kombin ukrainas dhe në Shqipëri dhe në Kosovë, ata janë solidarizuar plotësisht me luftën heroike të popullit të Ukrainës nën udhëheqjen e presidentit Zelensky kundër agresionit barbar rus”, tha Berisha.

Berisha deklaroi se Partia Demokratike e konsideron qëndrimin e presidentit ukrainas krejtësisht pa vend, krejtësisht të papranueshëm dhe një deklaratë që, sipas tij, nuk duhej të ishte bërë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Partia Demokratike e cilëson atë një deklaratë krejtësisht pa vend, krejtësisht të papranueshme dhe do të thosha një deklaratë fatkeqe në një vend që s’duhej bërë kurrë dhe për pavarësinë e Kosovës”, tha Berisha.

Berisha shtoi se, shqiptarët dhe Shqipëria duhet të mbeten të palëkundur në mbështetjen e Ukrainës ndaj agresionit rus.

“Në qoftë se presidenti bëri një deklaratë të tillë, ne nuk e harrojmë dhe ne nuk pranojmë këtë deklaratë, por natyrisht nuk mund të bëhet fjalë që ne të ndryshojmë qëndrimin ndaj agresionit barbar rus, ndaj popullit të Ukrainës dhe kombit ukrainas që po bën një luftë heroike, në fakt në mbrojtje të pavarësisë dhe të integritetit”, theksoi Berisha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër