Berisha në SPAK për kallëzimin ndaj gjyqtares Irena Gjoka: Do të padis edhe krerët e KLGJ dhe ILD

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u pyet sot në SPAK në cilësinë e kallëzuesit në çështjen e ngritur ndaj gjyqtares Irena Gjoka.

Në një prononcim për mediet pas paraqitjes në SPAK, Berisha theksoi se ky është kallëzimi i parë që ka bërë ndaj një personi dhe në të nuk ka asgjë personale.

“Kallëzimi synon ndëshkimin ligjor të një personi që përbën turpin e gjykatësit. Irena arrin të bukosë në mënyrën më kriminale KLGJ-në, KLP-në, ILD-në, institucione të cilat me Kushtetutë janë të ngarkuara të garantojnë zbatimin e ligjit mbi sistemin e drejtësisë. Irena është historia më e turpshme që mund të ekzistojë sepse ka shfrytëzuar pozitën, ka nxjerrë tre pasaporta, ka ndryshuar mbiemrin dhe nuk ka dorëzuar asnjë pasaportë në komisariat, nuk ka njoftuar asnjë humbje pasaportash”, u shpreh ai.

Berisha kujtoi se për Irena Gjokën ka një dënim penal në gjykatën e Janinës për falsifikim vize, si dhe një ekspertizë të autoriteteve policore greke të cilat konfirmojnë se viza ka qenë e falsifikuar.

Ndërkohë, kreu i PD-së u shpreh se është thirrur në limitet e afatit gjashtëmujor.

“Jam thirrur javën e fundit të gjashtë muajve që ka caktuar gjykatësja me shpresën se nuk do gjendesha në Shqipëri. Unë njoftimin e kam marrë absolutisht tre ditë më parë dhe unë mund të isha jashtë dhe këta mund ta mbyllnin çështjen. Si ka mundësi të thirret kallëzuesi javën e fundit”, shtoi ai.

Berisha bëri të ditur se do ta vazhdojë më tej çështjen, dhe pas Irena Gjokës do të padisë edhe drejtuesit e KLGJ dhe ILD dhe ish-kreun e SPAK, Altin Dumani.

“Pas Irenës, çështje penale do të ngrihen ndaj Ilir Rusit ose Llagamit, kush ka qenë kryetar KLGJ-je. Ndaj kreut të ILD-së, dhe ndaj Dumanit”, bëri të ditur Berisha.

I pyetur nëse ka besim te SPAK, Berisha pohoi se ndodhet në SPAK pasi një gjykatëse e përgjegjshme ka urdhëruar që të pyetet.

“Unë kur bëra kallëzimin penal nuk u pyeta. Domethënë, kallëzuesi nuk u pyet nga SPAK-u i partisë. Gjëja më elementare ishte që kallëzuesi të pyetet. Ata nuk e kanë bërë këtë detyrë dhe gjykatësja ka kërkuar të bëjnë detyrën”, shtoi ai.

I pyetur nga gazetarët, Berisha e cilësoi pjesëmarrjen e vëzhguesve të ONM në dhomat e këshillimit të gjyqtarëve kushtetues, antikushtetuese.

“Asgjë që merr pushtetin e Parlamentit nuk mund të pranohet nga Partia Demokratike. Ata do të jenë pjesë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo është fund e krye antikushtetuese. Ky është një kompromis që Edi Rama bën në kuadrin e lobingjeve të tij, por kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës. Kushtetuta përcakton me një ligj të veçantë të gjithë veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese. Në qoftë se gjykatësit kushtetues mendojnë se mund ta shkruajnë atë ligj, mund t’i shtojnë amendamente apo të tjera, pastaj ata gabohen shumë rëndë. Nuk mund ta bëjnë këtë”, theksoi Berisha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër