Policia plan masash për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Finlandë, rrugët që do të bllokohen

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Drejtues të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ata të sigurisë kanë zhvilluar disa takime për të bashkërenduar veprimet për garantimin e mbarëvajtjes së këtij aktiviteti dhe të sigurisë së lojtarëve dhe tifozëve.

Strukturat e Policisë së Shtetit, duke u mbështetur në përvojën pozitive në planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve ndërkombëtare, kanë hartuar planin e masave, i cili parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha shërbimet e Policisë, në koordinim me institucionet e tjera.

Për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 12.11.2026, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikojë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Policia njofton se rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes janë:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;

-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;

-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës (korridor hyrjeje për në parkimin e caktuar, vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja);

-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;

-Te sheshi “Willson”, pak para përfundimit të ndeshjes, lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”.

Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve dhe produkteve për përdorim kozmetik, si dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Policia këkron mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjet e stadiumit, duke filluar nga ora 18:30, pasi, për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër