Berisha: Nesër të gjithë me studentët, në mbështetje të revoltës së tyre

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së nesërme në mbështetje të studentëve, duke e cilësuar suksesin e revoltës së tyre si një çështje me rëndësi për të ardhmen e vendit.

Në një konferencë sot për mediet, Berisha ftoi qytetarët e të gjitha moshave dhe bindjeve politike të marrin pjesë në protestë, duke theksuar se mbështetja për studentët duhet të jetë e gjerë.

“Suksesi i revoltës studentore është sukses i çdo qytetari shqiptar që e do këtë vend. Është sukses i shqiptarëve të të gjitha moshave dhe bindjeve që duan të ndërtojnë jetën në Shqipëri”, deklaroi Berisha.

Ai vlerësoi qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e studentëve, duke u shprehur se ata meritojnë mbështetjen e qytetarëve.

“Thirrja ime është: të gjithë me studentët, të gjithë për studentët, për suksesin e revoltës së tyre”, tha kreu i PD-së.

I pyetur nëse protesta e nesërme do të zhvillohet sipas të njëjtit skenar si tubimet e mëparshme, me marshim drejt Kryeministrisë dhe më pas bashkim me studentët pranë Ministrisë së Arsimit, Berisha tha se do të ndiqet pak a shumë e njëjta mënyrë organizimi.

“Do të jetë pak a shumë ai skenar, megjithatë do të përcaktohet, por është gjithçka në mbështetje të studentëve. Është gjithçka në funksion të suksesit të tyre, të revoltës së tyre”, u shpreh Berisha.

artikuj të ndërlidhura