Tiranë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë sot për mediet para Kuvendit, para nisjes së seancës plenare, tha se nuk do të ketë asnjë rrjedhje votash nga opozita dhe PD në lidhje me projektligjin për ndarjen e re territoriale të propozuar nga Partia Socialiste.
Berisha tha se kryeministri Edi Rama po ushtron presion ndaj deputetëve të tij në mënyrë që të votojnë projektligjin.
“Rama po ushtron terror ndaj grupit të tij parlamentar…nga frika se nuk do ta votojnë reformën territoriale.
Opozita do të mbrojë interesat e qytetarëve. Nuk do të ketë asnjë rrjedhje vote. Do t’u themi shqiptarëve se si po shkelmohen interesat e shqiptarëve për karrigen e Edi Ramës”, tha ai.
Sipas tij, “asnjë deputet i PD dhe opozitës nuk do ta votojë reformën territoriale të propozuar nga PS”.
Sa i takon protestës, Berisha tha se “protesta është e qytetarëve. Duhet të bëj një sqarim: ne i kemi thirrur, por janë socialistët, janë demokratët, por është edhe protesta rinore qytetare. Kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria, janë protestuesit e Poliçanit, të Divjakës, të të gjitha bashkive dhe do të mbetet në kuadrin e protestës qytetare, pa simbole partiake”.
