Peleshi priti ministrin e Jashtëm të Izraelit: Zgjerim i bashkëpunimit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në Kryesinë e Kuvendit ministrin e Jashtëm të Shtetit të Izraelit, Gideon Sa’ar, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

Takimi u zhvillua në një vit të veçantë për marrëdhëniet shqiptaro-izraelite, që shënon 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Lidhjet historike mes shqiptarëve dhe hebrenjve, të mishëruara në traditën shqiptare të Besës dhe në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit, janë pjesë e trashëgimisë dhe kujtesës historike shqiptare dhe një dëshmi e lidhjeve njerëzore që kapërcejnë brezat.

Miqësia mes dy popujve, lidhjet historike dhe respekti i ndërsjellë përbëjnë një bazë të rëndësishme për vijimin e dialogut dhe forcimin e partneritetit mes dy vendeve.

Në këtë kuadër, vëmendje iu kushtua zhvillimit të bashkëpunimit parlamentar, përmes shkëmbimit të përvojave dhe intensifikimit të kontakteve mes dy parlamenteve, si një instrument i rëndësishëm për nxitjen e dialogut politik dhe afrimin mes dy vendeve.

Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, sigurisë kibernetike, ekonomisë, teknologjisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe turizmit ishte gjithashtu pjesë e diskutimeve. Marrëveshja për bashkëpunim të përgjithshëm mes dy vendeve përfaqëson një kuadër të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe identifikimin e mundësive konkrete të bashkëpunimit.

Biseda u ndal edhe te zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe rëndësia e përpjekjeve diplomatike për paqe, dialog dhe siguri. Në këtë kontekst, u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe e angazhimit për të kontribuar në një të ardhme më të sigurt për rajonin.

Takimi rikonfirmoi rëndësinë që Shqipëria i kushton marrëdhënieve me Izraelin dhe vullnetin për të vijuar dialogun politik e parlamentar, duke zgjeruar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët dhe duke ruajtur miqësinë mes dy popujve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër