Berisha: Opozita po privohet në Kuvend nga e drejta për të kontrolluar ekzekutivin

nga D. V.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se “opozita po privohet në parlament nga e drejta e saj kushtetuese për të kontrolluar ekzekutivin dhe zbatimin e ligjit”.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se qeveria po shtyp me të gjitha potencialet opozitën dhe opozitarizmin, për ta shndërruar atë në një instrument pa vlerë.

“Qeveria po synon de facto ta asgjësojë politikisht opozitën si forcë politike parlamentare.
Ne jemi dëshmitarë që u bënë 10 seanca parlamentare në të cilat qeveria në 9 prej tyre i mohoi opozitës çdo debat për çdo çështje që erdhi në parlament, duke filluar nga programi i qeverisë, miratimi i Këshillit të Ministrave, duke përfunduar tek miratimi i buxhetit dhe çdo gjë tjetër”, theksoi ai.

Berisha shtoi se janë kaluar ligje, projektvendime, akte normative dhe në asnjë prej seancave nuk është lejuar opozita të debatojë dhe të mbrojë interesat e zgjedhësve të saj.

Sipas tij, “kemi asgjësimin e të drejtës së deputetëve të opozitës për të debatuar për ligjet, për projektet, për vendimet që janë miratuar në komisione”.

Berisha theksoi se në 10 seancat parlamentare ministrat nuk janë lejuar të vijnë në interpelanca, ndërkohë që është refuzuar çdo mocion me debat.

“Refuzohen në mënyrë antikushtetuese të gjitha kërkesat e opozitës për komisione hetimore parlamentare. Pra, opozita privohet jo vetëm nga e drejta, por nga detyra e saj themelore për të kontrolluar ekzekutivin, për të kontrolluar zbatimin e ligjit. Nuk mund ta kryejë këtë. Në tërësi ministrat nuk refuzojnë vetëm interpelancat, por refuzojnë edhe paraqitjen para komisioneve. Opozita trajtohet si një vasale e partisë-shtet me të cilën ajo mund të bëjë ç’të dojë”, u shpreh Berisha.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More