Berisha: PD mbështet protestën e qytetarëve, ftoj çdo demokrat t’i bashkohet

Nga D. V.
849 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se PD mbështet fuqishëm protestën e rinisë dhe qytetarëve në Tiranë dhe në mbarë vendin, duke e cilësuar atë si një lëvizje masive kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një konference për mediet, Berisha tha se protesta ka marrë përmasa të mëdha dhe ka tejkaluar kufijtë politikë, ndërsa u bëri thirrje të gjithë demokratëve, mbështetësve të PD-së dhe qytetarëve të bashkohen me të.

“Tirana nuk ka njohur në historinë e vet një protestë kaq të fuqishme dhe masive dhe persistente sa kjo. Ndaj dhe thirrja ime për çdo demokrate e demokrat, mbështetëse dhe mbështetës të PD, të bashkohen në protestën e rinisë dhe qytetarëve të Tiranës, protestë kjo që tejkalon kufinjtë e forcave politike”, tha ai.

Sipas tij, protestuesit po kundërshtojnë një sërë ligjesh që PD i ka cilësuar si antikushtetuese dhe në kundërshtim me standardet e Bashkimit Europian.

“Kërkon anulimin e një seri ligjesh për të cilat deputetët e PD në parlamentin e Shqipërisë kanë votuar kundër në komisione dhe në seancë plenare. I kanë kundërshtuar këto ligje antikushtetuese dhe ligje që vijnë në kundërshtim me direktivat e BE edhe në Gjykatë Kushtetuese.

“Pra, çdo demokrate e demokrat, çdo mbështetëse dhe mbështetës i PD, por edhe çdo qytetar i Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, ka motivet më të fuqishme për të mbështetur këtë protestë, e cila ka marrë krahas përmasave të uraganit në rrugët dhe sheshet e Tiranës, përmasa të papara botërore. Është bërë lajm dhe superlajm i të gjitha agjencive, televizioneve, medieve më të mëdha të botës”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu u ndal tek organizimi i aktiviteteve dhe tubimeve nga mazhoranca gjatë ditëve të protestës, duke i cilësuar ato si “antimitingje” që synojnë të zbehin reagimin qytetar.

“Unë jam sot këtu për të denoncuar me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm cinik, armiqësor të Edi Ramës dhe rrethit të tij ndaj protestës, kërkesave të protestuesve dhe paralajmëroj se me këtë qëndrim, ai kërkon të zhysë vendin në kaos.

“Është e pafalshme, e papranueshme përpjekja e tij për të sfumuar uraganin e fuqishëm me antimitingje anakronike, gjoja po festoj 85-vjetorin e partisë së krimit. Është cinike, është poshtëruese dhe fyese për çdo shqiptar t’i kundërvihesh protestës së rinisë dhe qytetarëve shqiptarë me takimin e zgërbonjave të krimit të PS, takime që ngjasojnë, nga alfa tek omega, me takimet e mafies”, tha ai.

Berisha tha se Kryeministri duhet të heqë dorë nga antimitingjet. Gjithashtu ai i bëri thirrje opinionit publik ndërkombëtar që të mbështesin protestën.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër