KPP: Mbi 672 milionë lekë kursime për buxhetin e shtetit gjatë vitit 2025

Nga D. V.
577 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Nënkryetari i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), Fiorent Zguro paraqiti sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike raportin vjetor të veprimtarisë së Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2025.

Në fjalën e tij, Zguroi evidentoi progresin e qëndrueshëm në forcimin e rolit të KPP-së, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e efikasitetit në shqyrtimin e ankesave.

Sipas Zguros, gjatë vitit 2025 fokusi i institucionit ka mbetur i përqendruar në katër prioritete kryesore: thjeshtimin e procedurave, rritjen e transparencës, thellimin dhe shkëmbimin e njohurive, si dhe forcimin e qëndrueshmërisë në vendimmarrje.

Zguro theksoi se gjatë periudhës 1 janar – 31 dhjetor 2025, pranë KPP-së janë regjistruar gjithsej 1197 ankesa.

“Gjatë periudhës 1 janar 2025 – 31 dhjetor 2025, pranë Komisionit të Prokurimit Publik janë regjistruar 1197 ankesa në total, prej të cilave 1188 ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 8 ankesa për procedurat e ankandit publik, 1 ankesë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe 0 ankesë për leje minerare. Numri total i ankesave për procedura unike të ankimuara rezulton të jetë 853 (pa përfshirë 10 ankesa të cilat janë për blerje të vogla). Nga 863 ankesa të paraqitura në total, 311 prej tyre ose rreth 36%, janë ankesa të paraqitura për dokumentet e tenderit dhe 547 ankesa ose rreth 63,4% e tyre, janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave dhe 5 ankesa ose rreth 0,6% e tyre, janë ankesa të kategorizuara si “Tjetër””, tha ai.

Gjatë prezantimit të raportitm Zguro evidentoi sipas tij përmirësimin e mëtejshëm të performancës në shqyrtimin e ankesave.

“Në vitin 2025, Komisioni i Prokurimit Publik ka shqyrtuar 1152 ankesa, nga të cilat për 291 ankesa i ka kërkuar autoritetit kontraktor të bëjë modifikimet e specifikuara në vendim. Pas tejkalimit të afatit ligjor, KPP iu ka dërguar 37 kërkesa drejtuar autoriteteve/enteve kontraktore për zbatim vendimi, ku shpejtësia mesatare e zbatimit të vendimit nga autoriteti kontraktor rezulton 8,8 ditë, nga data e dërgimit të kërkesës deri në zbatimin e vendimit të autoriteteve/enteve kontraktore”, tha ai.

“Krahas elementeve shumë të rëndësishme, si zbatimi korrekt i ligjit në procesin e shqyrtimit të ankesave, qëndrueshmëria në vendimmarrje, një element shumë i rëndësishëm është edhe koha e shqyrtimit të ankesave. Vlen për t’u theksuar, se KPP, ka vijuar me trendin e përshpejtimit të kohës për shqyrtimin e ankesave, duke ulur treguesin e ankesave të shqyrtuara jashtë afatit në vlerën 8,9%, nga 9,26% në vitin 2024, ndërsa koha e vendimmarrjes për vitin 2025 është 10 ditë në krahasim me vitin 2024 që ka qenë 12 ditë”, tha ai.

Sipas Zguros, gjatë vitit 2025, Komisioni i Prokurimit Publik ka kontribuuar në kursimin e buxhetit të shtetit me një vlerë prej 672.025.015 lekë pa TVSH.

Zguroi shtoi më tej se qëndrueshmëria në vendimmarrje ka qenë një fokus i veçantë i institucionit, ku gjatë vitit 2025 janë publikuar 53 vendime interpretuese.

“Gjithashtu, nga 1007 vendime të marra nga Komisioni i Prokurimit Publik, 73 vendime (7,2%) janë ankimuar në Gjykatën Administrative, ku gjykata ka vendosur pranimin e plotë për 4 padi dhe pranim të pjesshëm për 7 padi, ka vendosur rrëzimin e 19 kërkesëpadive, ndërsa për 4 kërkesë padi gjykata ka vendosur pushimin e gjykimit. Rezultojnë 39 kërkesëpadi të tjera, të cilat janë ende në proces shqyrtimi gjyqësor në apel. Gjithashtu, janë paraqitur 52 kërkesa për caktimin e masës së sigurimit pranë Gjykatës së Apelit Administrativ për pezullimin e vendimeve të KPP-së. Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur rrëzimin e këtyre kërkesave”, tha ai.

Gjithashtu sipas Zguros, “vërehet një rritje krahasuar me vitin 2024 (4%); megjithatë, praktika gjyqësore tregon se Gjykata Administrative e Apelit ka konfirmuar në masë të gjerë ligjshmërinë e vendimmarrjes së KPP-së, duke rrëzuar ose pushuar shumicën e kërkesëpadive dhe duke lënë në fuqi vendimet e Komisionit, si dëshmi e respektimit të parimeve të ligjshmërisë, transparencës, proporcionalitetit dhe barazisë, si dhe e rolit të konsoliduar institucional të KPP-së”.

Sipas tij gjatë vitit 2025, KPP ka referuar gjithashtu tri çështje pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Zguro tha se falë digjitalizimit janë kursyer mbi 1.883.880 lekë si kosto të shpenzimeve administrative për paraqitjen e ankesave pranë autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë.

Në aspektin e burimeve njerëzore, Zguro tha se “në vitin 2025 kemi forcuar kapacitetet e stafit përmes 22 procedurave rekrutimi, duke sjellë 4 punonjës të rinj dhe duke lidhur kontrata pune për 4 punonjës mbështetës me aftësi të kufizuar”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër