Berisha: PD thërret protestë kombëtare të shtunën, mbështetje revoltës së studentëve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se PD-ja do të organizojë protestë kombëtare të shtunën në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen lëvizjes së të rinjve.

I pyetur nga gazetarët në konferencën për mediet nëse opozita do të mbështesë protestën e paralajmëruar nga të rinjtë, Berisha u shpreh se mbështetja e Partisë Demokratike do të jetë e plotë.

“Plotësisht dhe fuqishëm. Partia Demokratike thërret protestë kombëtare në mbështetje të studentëve. Asgjë nuk e ndan më Partinë Demokratike nga këto dy parime: mbështetje e fuqishme, mbrojtje e tyre”, deklaroi Berisha.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që t’i bashkohen protestës, ndërsa theksoi se në të pritet të marrin pjesë edhe shqiptarë nga diaspora.

“Jam këtu për të bërë thirrje të gjithë qytetarëve të kryeqytetit që të bashkohen me këtë protestë, me këtë revoltë të një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e këtij vendi”, tha Berisha.

Kreu i PD-së dënoi atë që e cilësoi dhunë dhe presion ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protesta paqësore, duke akuzuar policinë për shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës.

“Dënoj me forcën më të madhe terrorin, dhunën antikushtetuese që komisariatet, në shkelje të të gjitha ligjeve, po ushtrojnë ndaj qytetarëve në qytete dhe kudo për pjesëmarrjen e tyre në protesta paqësore”, u shpreh ai.

Berisha deklaroi gjithashtu se kauza e studentëve ka marrë mbështetje ndërkombëtare, duke falënderuar kongresmenë dhe senatorë amerikanë, përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe të Bundestagut gjerman, si dhe organizata ndërkombëtare që kanë reaguar për këtë çështje.

Ai përmendi ndër të tjerë kongresmenët amerikanë Joe Wilson, Robert Aderholt dhe Keith Self, si dhe senatorët Chris Murphy dhe Elissa Slotkin, duke vlerësuar deklaratat e tyre në mbështetje të studentëve dhe kërkesave të tyre.

Sa i përket pjesëmarrjes së deputetëve demokratë në komisionet parlamentare, Berisha tha se paraqitja e tyre dhe largimi pas deklaratave është vendim i grupit parlamentar, me qëllim dënimin e dhunës ndaj studentëve dhe shprehjen e mbështetjes për protestën e tyre.

Për qëndrimin e opozitës gjatë diskutimeve për paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2027, ai tha se vendimet e tjera do të komunikohen më vonë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër