Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Bojan Stojanoski, deputet i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Maqedonia Jote”, prezantoi Propozim-ligjin për transformimin në marrëdhënie të rregullt pune.
“Bëhet fjalë për një zgjidhje ligjore me të cilën i qasemi zgjidhjes sistematike të një problemi shumëvjeçar dhe vendosjes së rregullave të qarta për transformimin e angazhimeve me kontratë në marrëdhënie të rregullt pune me kohë të pacaktuar. Qëllimi ynë është i thjeshtë: njerëzit që prej vitesh punojnë me ndershmëri dhe kontribuojnë në institucione të fitojnë siguri juridike, dinjitet dhe të drejta që burojnë nga marrëdhënia e rregullt e punës”, tha ai.
Stojanoski theksoi se për vite me radhë në sektorin publik është krijuar një gjendje ku njerëzit kanë kryer detyra të rregullta dhe të vazhdueshme pune, por formalisht kanë mbetur të angazhuar përkohësisht.
“Ata nuk kanë siguri në vendin e punës, nuk i gëzojnë të gjitha të drejtat për pushim të paguar, sigurim social dhe pensional që rrjedhin nga marrëdhënia e rregullt e punës. Dhe kjo nuk është vetëm një çështje administrative. Kjo është çështje e dinjitetit njerëzor”, tha ai.
Stojanoski sqaroi se çfarë parashikon konkretisht ligji.
“Së pari, mundësohet transformimi i angazhimeve me kontratë në marrëdhënie të rregullt pune me kohë të pacaktuar për personat në institucionet e përfshira nga ligji. Së dyti, përcaktohen afate konkrete për zbatimin. Së treti, sigurohet mbrojtje për personat gjatë kohës sa zgjat procedura. Së katërti, vendosim rend dhe përgjegjësi në angazhimet e ardhshme. Së pesti, i gjithë procesi do të zhvillohet me kontroll financiar”, tha deputeti.
Ai sqaroi se bëhet fjalë për persona të angazhuar me kontrata me afat të caktuar, kontrata për vepër, kontrata autoriale, përmes agjencive për punësim të përkohshëm dhe forma të tjera kontraktuale për kryerjen e punës.
“Me këtë zgjidhje përfshihen organet e pushtetit shtetëror, institucione të caktuara publike nga fusha e shëndetësisë, kulturës, mbrojtjes së fëmijëve dhe mbrojtjes sociale, njësitë e vetëqeverisjes lokale, ndërmarrjet publike, entet, fondet dhe institucionet e tjera të përcaktuara me ligj. Janë paraparë edhe përjashtime konkrete nga përfshirja, të cilat janë të specifikuara saktësisht në tekstin ligjor”, tha Stojanoski.
Ai shtoi se nga kjo zgjidhje ligjore përjashtohen shoqëritë aksionare, personeli ushtarak dhe civil në shërbim të Armatës pranë Ministrisë së Mbrojtjes, shkollat fillore dhe të mesme, konviktet e nxënësve dhe studentëve, si dhe institucionet e arsimit të lartë dhe ato shkencore.
Gjithashtu, përjashtohen Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia për Siguri Kombëtare, Agjencia e Inteligjencës, Byroja për Siguri Publike, Drejtoria për Sigurinë e Informacioneve të Klasifikuara, Drejtoria e Policisë Financiare dhe Drejtoria për Inteligjencë Financiare.
Me këtë ligj, shtoi Stojanoski, dërgohet një mesazh i qartë se angazhimet me kontratë nuk guxojnë të jenë një zëvendësim i përhershëm për punësimin e rregullt.
