Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot në lidhje me raportin e Partisë Socialiste, për kërkesën së Prokurorisë së Posaçme, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, ku sipas tyre, nuk ka vend për ndryshimin e masës së sigurisë.
Berisha tha se, kryeministri Edi Rama doli publikisht në mbrojtje të Ballukut “duke vënë në peng Kushtetutën e vendit, ligjet e vendit, ndarjet e pushtetit dhe procesin e integrimit evropian”.
“Edi Rama iu tha shqiptarëve sot se Belinda Balluku është e paprekshme. Se Skapi është një zero me bisht. Se drejtësia nuk ekziston. Dhe se ai nuk ka ndërmend të përfillë asgjë nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit”, tha Berisha.
Sipas Berishës, Rama “mori në mbrojtje totale veten e tij”.
Berisha theksoi se ky “nuk është një sulm kryesisht ndaj Spakut, ndaj drejtësisë kjo që po bën sepse në këtë drejtim, drejtësia po ju përfaqëson ju, po përfaqëson ligjin dhe interesat tuaja. Por ky është një sulm direkt ndaj jush, ndaj dinjitetit tuaj, ndaj lirive tuaja”.
“Ai, sot dëshmoi më shumë se kurrë se është i gatshëm t’i përdorë mandatet e tij të krimit si bajoneta kundër qytetarëve shqiptarë dhe interesave të tyre në tërësi. Dhe në veçanti për mbylljen e dyerve të integrimit të Shqipërisë në BE”, tha Berisha.
