Berisha: Raporti IBAR me 32 ndryshime, pasqyron me vërtetësi problematikat

Nga D. V.
191 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se raporti i Piketave të Ndërmjetme IBAR pasqyron me vërtetësi problematikat kryesore të qeverisë.

Gjatë një konference për mediet, Berisha shprehu falënderimet për ata që kanë kontribuar në amendimin e raportit me 32 ndryshime kryesore, duke theksuar punën e COELA për të paraqitur realitetin shqiptar në mënyrë të saktë dhe pa ndikime lobuese.

Ai theksoi se raporti i parë, i paraqitur më 2 shkurt dhe rishqyrtuar disa herë, ka reflektuar problematikat e qeverisë, ndërsa raporti i 21 majit shënon një kthesë diplomatike, duke theksuar nevojën për përmbushjen e standardeve të BE-së.

Sipas Berishës, raporti i IBAR thekson mungesën e garës së barabartë në zgjedhje si dhe kritikon miratimin e nxituar të ligjeve pa konsultime të mjaftueshme.

“Çfarë thotë raporti IBAR i 21 majit? Shqipëria duhet të sigurojë garë të barabartë, sepse nuk ka pasur garë të barabartë në zgjedhje, duke marrë masa kundër keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe institucioneve. E thotë raporti, nuk kishte një fjalë pra, i është shtuar. Duke marrë masa kundër keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe institucioneve. Dhe më tej godet në mënyrë fatale rrjetet terroriste të patronazhistëve. Sigurisht aty nuk përdoret fjala terroriste, por ja ku e keni, ndikimin e rrjeteve të patronazhimit. COELA erdhi në mision faktmbledhës në Shqipëri. Erdhi, i pa gjërat në vend dhe shtoi masat antifarsë elektorale. Kjo është hera e parë që BE emëron rrjetet e patronazhimit”, deklaroi Berisha

Po ashtu, Berisha citoi raportin sa i takon kohës së konsultimit të procesit legjislativ.

“Raporti i shkurtit kërkon konsolidimin e rolit të parlamentit. Në një ditë të caktuar miratuan brenda një çerek ore 21 ligje, në turpin më të madh të tyre. Çfarë thotë raporti i 21 majit? Përafrimi me acquis kërkon një proces të plotë me kohë të mjaftueshme për konsultime substanciale. Në rrafshin politik, kemi një kritikë të qartë ndaj miratimit të nxituar të ligjeve pa konsultim paraprak”, tha Berisha.

Berisha tha se raporti i IBAR shpreh shqetësime dhe për vetingun, duke kërkuar që të jetë me standarde të qëndrueshme.

“Strategjia e drejtësisë 2024-2030. Raporti i majit kërkon të konsolidohet zbatimi i reformave nëpërmjet strategjisë së rishikuar të drejtësisë. Është shtuar pra. Dhe në këtë mënyrë dokumenti specifik bëhet referencë kushtëzimi për monitorimin”, vijoi ai.

Kreu i PD-së u ndal edhe tek pasqyrimi i Drejtësisë në raportin IBAR, SPAK dhe sulmet politike të nivelit të lartë.

“SPAK përmendet në mënyrë eksplicite. Standardet e vetingut, qëndrueshmëria. Thekson nevojën për Shqipërinë të ruajë dhe të mbajë standarde të qëndrueshme. Qëndrueshmëria e rezultate të vetingut bëhet kërkesë eksplicite si përgjigje ndaj shqetësimeve për vetingun”, tha Berisha.

Sa i përket komisionit për reformën territoriale, Berisha tha se është shtuar në raportin e majit, gjë që sipas tij dëshmon “angazhimin dhe interesin e BE-së, ndërgjegjësimin e këtij institucioni për rëndësinë e reformës territoriale”.

“Çfarë thotë raporti i majit? Të ruhet ndarja e përgjegjësive ndërmjet niveleve qendrore dhe vendore të qeverisjes, përfshi autonominë e qeverisjes vendore”, tha Berisha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër