Tiranë, 27 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot pas arrestimit të Ergys Agasit.
Sipas Berishës, pavarësisht se Agasi ishte në kërkim, ai ka lëvizur i lirë për rreth tetë muaj në Xhafzotaj, Manzë dhe Surrel.
“Ergys Agasi u arrestua dje, pasi lëvizi 8 muaj lirshëm. Në Xhafzotaj tek shtëpia e vet, në Manzë dhe pika tjetër e trekëndëshit në Surrel. Pra, Agasi në aparencë ishte në kërkim, por de facto ishte i lirë. Lëvizte kudo, natyrisht me shoqërues lëvizte, duhet ta theksoj këtë”, tha ai.
Berisha e konsideroi arrestimin e Agasit një zhvillim pozitiv, por kërkoi që hetimi të monitorohet nga institucionet ndërkombëtare. Ai iu drejtua në mënyrë të veçantë Europol-it, Eurojust-it dhe agjencive ligjzbatuese të vendeve partnere.
Berisha tha gjithashtu se Agasi kishte akses në të dhëna sensitive të sistemit TIMS dhe se këto të dhëna ishin vënë në dispozicion të personave që ai i cilësoi si “armiq të NATO-s”.
“Ajo çka PD kërkon, i bën thirrje Europolit, Eurojustit, vendeve partnere të monitorojnë me seriozitetin më të madh këtë proces. Ata kanë legjitimitet të plotë sepse veprimet e Ergys Agasit janë bërë edhe në dëmtim të shtetasve të tyre në territorin e Shqipërisë. Ai kontrollonte çdo person që hynte dhe të gjitha komunikimet. Agasi ka qenë një rrezik për NATO-n”, tha ai.
