Tiranë, 27 gusht, Zhurnal.mk – Një incident ndodhi sot gjatë protestës së paralajmëruar në Maliq kundër shkrirjes së kësaj bashkie dhe bashkimit me Korçën, ku organizatorët u përplasën me gazetarët e pranishëm.
Gjatë momentit që gazetarët po zhvillonin intervista me disa prej pjesëmarrësve në protestë, një nga organizatorët, Arjan Asimi, aktivist politik i subjektit “Shqipëria bëhet”, u përplas verbalisht me gazetarët, të cilët po ushtronin detyrën.
Asimi akuzoi mediet si të shitura dhe në shërbim të pushtetit dhe në këto momente gazetarët ndalën intervistat duke mos pranuar akuzat. Më tej gazetarët tërhoqën mikrofonat dhe u larguan nga protesta, ndërsa iu drejtuan komisariatit të Maliqit për të bërë kallëzim për ndalim të funksionit, goditje fizike dhe denigrim të figurës.
Në lidhje me incidentin reagoi edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, i cili denoncoi agresionin e disa protestuesve në Maliq ndaj gazetarëve dhe sidomos personin që organizonte protestën.
“Në tubimin e organizuar në mjedisin para institucionit të bashkisë, ku merrnin pjesë shumë qytetarë që kundërshtojnë procesin e reformës administrative që e zhbën këtë njësi, organizatori i saj, Arjan Asimi, veprimtar politik i subjektit “Shqipëria bëhet”, në momentin kur gazetarët po intervistonin protestues të tjerë ndodh një përplasje”, theksoi UGSH.
UGSH thekson se “sipas raportimit të kolegëve të pranishëm, Asimi ka ndërprerë intervistat duke sulmuar mediet si të shitura dhe në shërbim të pushtetit dhe ka stimuluar persona të tjerë të cilët kanë fyer dhe stigmatizuar misionin e tyre në detyrë. Kjo ka shkaktuar reagime, përplasje fizike dhe sulme verbale”.
UGSH nënvizon se mbështet reagimin e menjëhershëm të kolegëve në detyrë të cilët kanë ndërprerë intervistimet, në shenjë proteste dhe i janë drejtuar Komisariatit të Policisë në Maliq, ku kanë kërkuar marrjen e masave ndaj agresorëve dhe penguesve të gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre.
