Berisha: Të frymëzuar nga Skënderbeu, vazhdojmë betejën për çlirimin e vendit

Nga D. V.
551 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 6 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë sot në aktivitetin “Zanafilla e Kombit”, në Krujë, një ceremoni përkujtimore me rastin e datëlindjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti -Skënderbeu.

Në fjalën e tij, Berisha theksoi se “me Skënderbeun lindi liria, lavdia dhe shteti i shqiptarëve”, duke e cilësuar heroin kombëtar si një nga figurat më të mëdha jo vetëm në historinë shqiptare, por edhe në atë botërore.

Sipas Berishës, Skënderbeu me veprën e tij u shndërrua “në shtyllë thelbësore të identitetit kombëtar të shqiptarëve, të qenies së çdo shqiptari. Me Skënderbeun lindi liria e shqiptarëve. Me Skënderbeun lindi lavdia e shqiptarëve”.

Ai u shpreh se Skënderbeu për 25 vite zhvilloi beteja të suksesshme kundër Perandorisë Osmane, duke e cilësuar atë një strateg të jashtëzakonshëm ushtarak dhe një mbrojtës të qytetërimit perëndimor. Sipas Berishës, pa rezistencën e tij, osmanët do të kishin depërtuar më herët në zemër të Evropës.

Gjatë fjalimit, Berisha theksoi gjithashtu se figura e Skënderbeut mbetet një burim frymëzimi për shqiptarët. Sipas tij, qytetarët të frymëzuar nga Skënderbeu duhet të vazhdojnë betejën për “çlirimin e vendit” duke ju referuar qeverisë.

“Ndaj dhe të vazhdojmë ne këtë betejë kundër këtij pushtuesi të egër që ka vendosur mbi shqiptarët një sistem shfrytëzimi kolonial duke vjedhur pasuritë e tyre, duke vjedhur fondet e tyre, duke poshtëruar gjysmën e kombit. Prandaj dhe nderimi i Skënderbeut për çdo shqiptar të vërtetë është detyrim. Ka edhe detyrime dhe përgjegjësi. Miq, po ta përmbledhim me dy fjalë amanetin e prijësit tonë të pavdekshëm, ai është ky për shqiptarin: kurrë mos u dorëzo!

“Ky është frymëzimi i përjetshëm për të gjithë ata që i thonë vetes shqiptar. Ndaj dhe të vazhdojmë ne këtë betejë kundër këtij pushtuesi të egër që ka vendosur mbi shqiptarët një sistem shfrytëzimi kolonial duke vjedhur pasuritë e tyre, duke vjedhur fondet e tyre, duke poshtëruar gjysmën e kombit. Ndaj dhe të frymëzuar nga prijësi ynë i përjetshëm, të vazhdojmë këtë betejë gjer në çlirimin e plotë, gjer në shpëtimin e plotë të Shqipërisë, gjersa të bëjmë qytetarët shqiptarë të liri ashtu si prijësi i tyre i përjetshëm i tyre, Skënderbeu”, tha Berisha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër