Shkruan: Bexhet Musliu, Themelues i Agjencisë Zhurnal
Shkup, 19 qershor – Sot, gjatë një kohe të lirë, duke shfletuar mediat, më ra në sy intervista e ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, në emisionin “Studio e Natës”, në një media në gjuhën maqedonase.
E ndoqa me vëmendje nga fillimi deri në fund. Për plot 1 e 33 minuta, ministri foli pothuajse ekskluzivisht për softuerë, digjitalizim, sisteme informatike dhe projektet që synon t’i realizojë. Nuk ka asgjë të keqe që një ministër të flasë për modernizimin e sistemit. Por pyetja që lind natyrshëm është: a është ky problemi më urgjent me të cilin përballen pacientët në Maqedoninë e Veriut?
Në asnjë moment nuk dëgjova ministrin të flasë për hallet e përditshme të qytetarëve që trajtohen në spitalet publike. Nuk dëgjova asnjë plan konkret se si do të ndalet praktika që pacientët të detyrohen të blejnë vetë barna dhe materiale mjekësore, edhe pse janë të shtruar në spital. Nuk dëgjova asnjë fjalë për kushtet e papranueshme në shumë klinika, ku çarçafët e konsumuar, jastëkët e amortizuar dhe mungesa e higjienës vazhdojnë të jenë realitet.
Shëndetësia nuk matet me numrin e aplikacioneve apo platformave elektronike. Ajo matet me mënyrën se si trajtohet pacienti. Matet me faktin nëse ai merr terapinë në kohë, nëse gjen kushte dinjitoze gjatë hospitalizimit dhe nëse sistemi funksionon kur ai ka më së shumti nevojë.
Është e vështirë t’u flasësh qytetarëve për transformim digjital, ndërkohë që shumë prej tyre presin me orë të tëra në korridoret e Klinikës, ndërsa familjarët detyrohen të blejnë ilaçe në farmacitë private sepse spitali nuk i ka në dispozicion.
Prandaj, po e pyes ministriën me disa pyetje të drejtpërdrejta.
A ka dalë ndonjëherë ministri herët në mëngjes për të vizituar pa paralajmërim klinikat, jo kabinetet?
A ka hyrë ndonjëherë në tualetet e spitaleve publike për të parë nëse qytetarët kanë kushte elementare higjienike, ujë, sapun apo mjete për tharjen e duarve?
A ka ecur ndonjëherë në korridoret e Qendrës Klinike për të dëgjuar nga afër ankesat e pacientëve që presin me orë për një kontroll apo një intervenim?
A ka vizituar spitalet e Tetovës, Gostivarit, Strugës, Kumanovës dhe qyteteve të tjera për të parë me çfarë sfidash përballen mjekët, infermierët dhe personeli tjetër shëndetësor?
Sepse para se të ndërtohen sisteme informatike moderne, duhet të funksionojë sistemi bazë shëndetësor.
Teknologjia nuk mund ta zëvendësojë mungesën e ilaçeve. Softuerët nuk mund të fshehin kushtet e dobëta në spitale. Platforma elektronike nuk e zgjidhin mungesën e higjienës dhe as pritjet e gjata të pacientëve.
Digjitalizimi është mjet, jo qëllim. Qëllimi është pacienti.
Një ministër i Shëndetësisë duhet të jetë i pari që dëgjon hallet e pacientëve, jo vetëm arkitekti i platformave elektronike. Reformat teknologjike janë të mirëpritura vetëm kur ecin paralelisht me përmirësimin e kushteve në terren.
Nëse pacienti vazhdon të blejë vetë ilaçet, nëse repartet mbeten në gjendjen aktuale dhe nëse qytetarët vazhdojnë të presin me orë në korridore, atëherë as softueri më modern nuk mund ta bindë opinionin se shëndetësia po ecën përpara.
Qytetarët nuk kërkojnë vetëm një sistem të digjitalizuar. Ata kërkojnë një sistem që funksionon. Dhe këtë nuk e dëshmojnë prezantimet televizive, por realiteti që përjetojnë çdo ditë pacientët dhe profesionistët shëndetësorë në spitalet publike.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË TË “BILL GATES” NGA GOSTIVARI, AZIR ALIUT.
