Kumanovë, 1 nëntor Zhurnal.mk – Bizneset lokale dhe zejtarët në rajonin e Kumanovës po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike, si pasojë e mungesës së klientëve dhe orientimit të qytetarëve drejt blerjeve në qytetet fqinje, në Gjilan të Kosovës dhe Vranjë të Serbisë.
Kështu vlerëson kryetari i Odës së Zejtarëve të Maqedonisë së Veriut, Agron Fazliji, i cili thekson se kjo dukuri po ndikon drejtpërdrejt në ekonominë lokale dhe në mbijetesën e bizneseve të vogla.
Sipas Fazlijit, në gjendje të vështirë janë veçanërisht zejtarët e vjetër, mekanikët, si dhe bizneset që merren me rikonstruksione dhe ndërtimtari. Ai thotë se mungesa e klientelës po i detyron shumë biznese të përballen me vështirësi në funksionimin e përditshëm.
“Ne kemi dy qytete kufitare që po na dëmtojnë financiarisht dhe ekonimikisht, pra qytete atë të Gjilanit në Kosovë dhe Vranjën në Serbi, pa keqkuptime por edhe Zejeve të vjetra, Zejtarëve por edhe bizneseve lokale këtu në rajonin e Kumanovës, si mekanikëve, bizneseve që kanë të bëjnë me rikonstruim dhe ndërtimtari, aktualisht janë në vështirësi të mëdha vërehet mungesë e klienteles, por që të njejtit po shkojnë të kryejnë blerjet e tyre në Gjilan apo në Vranjë, kështuqë si pasojë e kësaj krize ekonimia lokale dita ditës po zhduket”, theksoi mes tjerash, Agron Fazliji, kryetar i Odës së Zejtarëve të RMV.
Ai ngre shqetësimin për gjendjen e bizneseve lokale, duke nënvizuar nevojën për më shumë vëmendje ndaj zhvillimit ekonomik dhe mbështetjes së zejtarëve dhe ndërmarrjeve të vogla në rajonin e Kumanovës.
