Shkup, 1 nëntor Zhurnal.mk – Kriza e vlerave në shoqëri dhe dobësimi i rolit edukues të institucioneve arsimore po shihen si ndër shqetësimet kryesore në formimin e brezave të rinj.
Sociologu Ali Pajaziti vlerëson se shteti duhet të marrë përgjegjësi më të madhe jo vetëm në procesin e mësimdhënies, por edhe në edukimin e qytetarëve, duke theksuar se shkolla ka humbur një pjesë të funksionit të saj të dikurshëm, ndërsa edhe institucionet e sigurisë nuk po e përmbushin siç duhet rolin e tyre në shoqëri.
“Shteti ka një mision. Pra ai duhet të krijojë një qytetar i cili është qytetar i dobishëm dhe qytetar që e di se ku i ka kufijtë. Mënyrat e edukimit të brezave varen nga instancat edukativo arsimore. Kemi probleme ne me mësimdhënien dhe me edukimin. Pra shkolla nuk e luan rolin e vet qe e ka pasur dikur. Kemi një zbehje të funskionit të shkollës. E as instancat e sigurisë nuk po e luajnë rolin e tyre”, deklaroi sociologu Ali Pajaziti.
AP: Reagimi i institucioneve, i vonshëm
Ende pa përfunduar viti 37 raste serioze të dhunës mes bashkëmoshatarëve janë paraqitur tek Avokati i Popullit. Sipas Vaska Bajramovska – Mustafa dhuna mes bashkëmoshtarëve është shqetësuese ndërsa thekson se masat jo adekuate dhe të vonuara nga ana institucionale lënë pasoja jo vetëm tek viktimat por krijojnë mosbesim edhe tek fëmijet tjerë.
“Nuk mund të gjeneralizojmë se të gjitha shkollat nuk veprojnë, megjithatë sipas parashtresave nëpërmjet të cilave veprojmë kemi vërtetuar reagim të vonshëm nga ana e organeve kompetente për shkak të si shembull po them raste kur dhuna fizike vazhdon për disa vite”, u shpreh Vaska Bajramovska – Mustafa, sekretare shtetërore/avokati i popullit.
Ndërkaq, Bajramovska-Mustafa thekson se luftimi i dhunës kërkon reagim të menjëhershëm dhe të koordinuar nga institucionet përgjegjëse gjë që sipas saj në nivel të dukshëm ende mungon ndërsa shton se është e domosdoshme që të përcaktohen afate konkrete për përmbushjen e obligimeve institucionale, por edhe të ndërtohet besimi tek të rinjtë, në mënyrë që ata të ndihen të sigurt dhe të inkurajuar për të raportuar çdo rast dhune.
