Tiranë, 22 shtator, Zhurnal.mk – Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë dhe Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit ka zhvilluar sot mbledhjen e dytë, duke përcaktuar çmimet e reja për karburantet.
Kështu, Bordi i Transparencës vendosi sot që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 213 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 201 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 193 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 181 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 22, ora 12:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Bordi u ka bërë thirrje operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë që të zbatojnë vendimin dhe çmimet e përcaktuara.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
