Bozdo: PD projektligj për të mbajtur nën kontroll çmimin e karburantit

Nga D. V.
702 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Nënkryetari i komisionit të Ekonomisë, Eno Bozdo, tha sot se grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë në Kuvend një projektligj që detyron qeverinë që të marrë automatikisht masa për të mbajtur nën kontroll rritjen e çmimit të karburantit.

Gjatë një konference për mediet nga kryesia e Kuvendit, Bozdo theksoi se përmes këtij projektligji synohet krijimi i një mekanizmi detyrues që ndihmon ekonominë kombëtare.

“Ditën e hënë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, do të depozitoj në Kuvend një projektligj që do ta detyrojë qeverinë në rastin e krizave energjetike të shkaktuara nga situata globale, nga forca madhore, të marrë automatikisht masa për të mbajtur nën kontroll çmimin e karburantit. Me anë të këtij projektligji, ne synojmë të zgjidhim atë që të gjitha qeveritë e rajonit dhe Bashkimit Evropian e vetzgjidhin si pasojë e detyrimit të tyre për t’i shërbyer qytetarëve të tyre. Kur qeverisë nuk ja ndjen, duhet të kemi një mekanizëm detyrues, që ndihmon shqiptarët dhe ekonominë kombëtare. Është detyrim i opozitës që t’u japë zgjidhje ligjore situatave të tilla, kur qartazi mungon vullneti i qeverisë”, tha Bozdo.

Sipas Bozdos, propozimi vjen në një moment kur qeveria duhet të ndërmarrë masa emergjente për frenimin e rritjes së çmimit të naftës.

“Është shqetësues fakti që qeveria shqiptare, edhe pse fiton më shumë kur çmimi i naftës rritet dhe kjo gjë po ndodh, nuk ka ndërmend që t’i përdorë këto të ardhura shtesë për qytetarët e saj dhe ekonominë e saj. Angazhimi ynë pranë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë si dhe ndaj direktivës përkatëse të BE-së, sanksionon detyrimin ligjor që kompanitë shqiptare të mbajnë një rezervë nafte të barabartë me 61 ditë konsum apo 90 ditë importe.

“Për fat të keq, është e vështirë sot, të imagjinohet se një rezervë e tillë ekziston dhe aq më tepër se mund të aktivizohet më kërkesën më të parë nga qeveria në kushtet e emergjencës energjetike. Ndërsa vendet e rajonit e të gjitha vendet e BE-së, praktikisht po vrapojnë pa humbur kohë të ngrenë instrumente për t’u përballur me krizën që tashmë po troket me synimin e vetëm të mbrojtës së qytetarëve të tyre dhe ekonomisë kombëtare, qeveria shqiptare nuk ka ndërmend të bëjë asgjë të tillë”, tha Bozdo.

Deputeti demokrat, gjithashtu i bëri thirrje Autoritetit Kombëtar të Konkurrencës që të monitoroj sjelljen e kompanive në treg dhe të ndërhyjë kundër abuzimeve me rritjen e çmimeve.

“Ditët e fundit rritjet e menjëhershme dhe të njëkohshme të çmimit të naftës nga të gjithë tregtarët në Shqipëri treguan se kjo rritje është e organizuar dhe me shumë gjasa përmban element të kundërligjshëm. Për këtë i bëjmë thirrje Autoritetit të Konkurrencës që të monitoroj sjelljen e kompanive në këtë treg nga shumë afër dhe të ndërhyjë menjëherë nëse verifikohen situate kartel dhe abuzimi me çmimin e naftës si dhe ushqimeve bazë të shportës”, theksoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër