Tiranë, 27 tetor, Zhurnal.mk – Deputetët e mazhorancës dhe të opozitës debatuan sot në komisionin e Ligjeve mbi zhvillimin e protestave të fundit në vendit, që u karakterizuan nga akte dhune.
Në fillim të mbledhjes deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi shprehu shqetësimin për dhunën joproporcionale të policisë ndaj protestuesve.
Bylykbashi kërkoi hetimin e të gjithë zinxhirit komandues të Policisë së Shtetit për mënyrën e menaxhimit të protestave, si dhe largimin nga radhët e uniformave blu të efektivëve që kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve.
“Dita e 15-të që studentët dhe gjimnazistët janë në protestë, përballen me dhunë nga policia, njërit i nxorën syrin. Dhunë joproporcionale, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit. Arrestimi është përdorur si mjet intimidimi. Qindra kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore nga plumbat e gomës. Duhej hetim për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit. Duhet spastrim i policisë nga efektivët kriminelë që rrahin në mënyrë shtazarake protestuesit. I gjëmojnë nëpër rrugica, i rrahin dhe i lënë në shesh”, u shpreh Bylykbashi.
Sipas tij, protesta ka dy kërkesa dorëheqjen e Ramës dhe një qeveri tranzitore. “Kuvendi ka detyrimin moral të vetëshpërndahet. Nëse Kuvendi nuk shpërndahet, turpi do të jetë i juaji”, u shpreh ai.
Ndërsa kryetari i komisionit të Ligjeve, deputeti i PS-së, Ulsi Manja theksoi se dhuna ndaj Policisë së Shtetit duhet të dënohet nga të gjitha anët.
Ai akuzoi PD-në se po mbron personat e përfshirë në akte dhune. Sipas tij, “qytetarët nuk presin zgjidhje nga selia e kësaj force politike”.
“Vazhdoni të shihni ëndrra, por kur dilni te Lana, vishuni me plastmas. Mos i mbroni ata të dhunës në selinë tuaj. Për të qenë të ndershëm deri në fund, duhet të dënohet dhuna nga të gjitha anët. Nëse ka tejkalim nga policia, le të bëhet hetim”, u shpreh Manja.
Deputetët demokratët braktisën komisionin, duke vijuar qëndrimin kundërshtues ndaj punimeve të komisioneve parlamentare.
Ndërkohë, Manja njoftoi se komisioni i Ligjeve do të vazhdonte shqyrtimin e çështjeve të rendit të ditës, duke theksuar se Kuvendi ka përpara nisma të rëndësishme ligjore që lidhen me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
