Calviño: Shqipëria ka bërë progres fenomenal, BEI rrit mbështetjen për bizneset

Nga D. V.
516 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 maj Zhurnal.mk – Presidentja e Bankës Europiane të Investimeve (BEI), Nadia Calviño deklaroi sot në Tiranë se Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm gjatë dekadës së fundit dhe se Bashkimi Europian mbetet një rrugë e qartë dhe e natyrshme për të ardhmen e vendit.

Gjatë fjalës së saj, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për linjën e re të financimit me Intesa Sanpaolo Bank Albania, në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Calviño u shpreh se vizita e saj e parë në Shqipëri si presidente e BEI-së i ka lënë përshtypje të forta për ndryshimet dhe zhvillimin e vendit.

“Është një kënaqësi e madhe të vizitosh Shqipërinë për herë të parë si presidente e Bankës Europiane të Investimeve. Ndryshimi në 10 vitet e fundit është fenomenal dhe mbresëlënës”, u shpreh ajo, duke vlerësuar gjithashtu ambicien e vendit për integrim në Bashkimin Europian.

Calviño theksoi se në një botë të karakterizuar nga konflikte dhe sfida, Bashkimi Europian përfaqëson stabilitet, besim dhe një fuqi tërheqëse ekonomike dhe politike, ndërsa shtoi se kjo është reflektuar edhe në praninë e simboleve europiane në Shqipëri.

Ajo vlerësoi bashkëpunimin me institucionet shqiptare, duke e cilësuar atë si të fortë dhe të qëndrueshëm, si dhe nënvizoi angazhimin e BEI-së për të mbështetur rrugëtimin europian të vendit.

“Bashkëpunimi ynë tregon vendosmërinë e palëkundur të Bankës Europiane të Investimeve për të qenë partnere me Shqipërinë si motor investimesh në rrugën drejt Bashkimit Europian”, deklaroi ajo.

Sipas saj, BEI ka investuar deri tani rreth 1 miliard euro në Shqipëri në fusha kyçe si transporti, energjia, uji dhe zhvillimi digjital, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ajo shtoi se institucioni që ajo drejton po mbështet aktualisht projekte të rëndësishme infrastrukturore në vend, përfshirë modernizimin e rrugëve dhe sistemit hekurudhor, furnizimin me ujë në Tiranë dhe zhvillimin urban në zonat e veriut dhe sektorin e turizmit.

Calviño bëri të ditur gjithashtu se BEI synon të rrisë më tej praninë e saj në Shqipëri në vitin 2026, duke rritur ndjeshëm nivelin e financimit.

Në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar prej 20 milionë eurosh me Intesa Sanpaolo Bank Albania, ajo theksoi se ky instrument synon të mbështesë bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat i cilësoi si “zemra e ekonomisë”.

“Me këtë nënshkrim mbështesim angazhimin tonë ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm. Më shumë se 20 mijë ndërmarrje kanë përfituar deri më tani nga financimet tona në partneritet me bankat tregtare”, tha ajo.

Sipas Calviño, këto financime ndihmojnë jo vetëm rritjen ekonomike, por edhe përafrimin e bizneseve shqiptare me standardet europiane në efikasitet energjetik, digjitalizim dhe modernizim të modeleve të biznesit.

Presidentja e BEI-së theksoi se Shqipëria nuk duhet parë thjesht si vend kandidat, por si një partner strategjik dhe i ardhshëm aksionar i Bankës Europiane të Investimeve.

“Për ne, vendet kandidate si Shqipëria janë partnerë. Ne jemi të interesuar të kemi marrëdhënien më të mirë të mundshme para, gjatë dhe pas anëtarësimit. Marrëdhënia jonë me qeverinë dhe sektorin privat është e shkëlqyer dhe presim që bashkëpunimi të thellohet më tej”, u shpreh Calviño.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër