Çështja e emrave të rrugëve në Tetovë drejt zgjidhjes, Albi Qamili: Miratuam edhe 145 emra të rinj!

Nga D V
797 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 gusht, Zhurnal.mk – Çështja shumëvjeçare e emrave të rrugëve në Tetovë po shkon drejt zgjidhjes përfundimtare. Grupi i Punës për Riemërtimin e Rrugëve në Tetovë ka miratuar edhe një listë të re me 145 emra për rrugët dhe sheshet e qytetit.

Në mbledhjen e radhës të Grupit të Punës, të kryesuar nga nënkryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, është miratuar edhe Plani i Veprimit dhe dinamika e punës, me qëllim që procesi të përmbyllet sa më shpejt.

“Miratuam një tjetër listë me 145 emra të rinj për rrugët dhe sheshet e Tetovës. Gjithashtu miratuam Planin e Veprimit dhe dinamikën e punës, me qëllim që kjo çështje të finalizohet sa më shpejt”, deklaroi Qamili.

Sipas tij, emrat e rinj reflektojnë realitetin dhe historinë e Tetovës, si dhe bashkësitë etnike që jetojnë në qytet.

Qamili theksoi se puna do të vijojë me përkushtim për zgjidhjen e problemit të emrave të rrugëve, duke paralajmëruar se procesi së shpejti pritet të përmbyllet me një zgjidhje të plotë, gjithëpërfshirëse dhe institucionalisht të qëndrueshme.

“Vazhdojmë punën me përkushtim për zgjidhjen e problemit shumëvjeçar me emrat e rrugëve. Shumë shpejt do ta përmbyllim këtë proces me zgjidhje të plotë, gjithëpërfshirëse dhe institucionalisht të qëndrueshme”, u shpreh Qamili.

Zgjidhja e çështjes së emrave të rrugëve pritet të sjellë edhe një pasqyrim më të plotë të historisë, identitetit dhe realitetit të Tetovës, duke i dhënë fund një prej çështjeve të pazgjidhura prej vitesh në qytet. Emrat jugosllavë, të trashëguar nga qeverisjet e kaluara, përfundimisht shkojnë në histori.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër