“Kur ke dikë si ai në krah, është gjithmonë mirë”, Jashari flet për raportin që ka me Modricin

Nga D V
507 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ardon Jashari synon që raportin e mirë që ka krijuar jashtë fushës me Luka Modric ta shndërrojë edhe në një bashkëpunim të rëndësishëm brenda fushës me Milanin.

Mesfushori shqiptar ka folur me shumë vlerësim për legjendën kroate, duke theksuar rëndësinë e pranisë së tij në skuadër dhe mentalitetin fitues që ai sjell në dhomën e zhveshjes.

Jashari pranon se gjatë sezonit të kaluar nuk pati shumë mundësi të luante përkrah Modricit, por shpreson që situata të ndryshojë në edicionin 2026/27.

“Kam një lidhje të shkëlqyer jashtë fushës dhe shpresoj ta kemi këtë edhe në fushë këtë edicion. Duhet të jemi krenarë që kemi dikë si ai në ekipin tonë. Vitin e kaluar nuk luajtëm shumë së bashku, por shpresoj të jetë ndryshe këtë vit”, deklaroi Jashari në një intervistë për Sky Sport.

Futbollisti shqiptar theksoi se të kesh një lojtar me përvojën e Modricit pranë vetes është një avantazh i madh, sidomos për një skuadër që synon trofe.

“Kur ke dikë si ai në krah, është gjithmonë mirë të luash dhe është mirë që ai donte të vazhdonte me ne. Ai gjithmonë dëshiron të fitojë, gjë që është e rëndësishme edhe për ne”, shtoi ai.

Jashari vlerësoi gjithashtu ndikimin që Modric mund të ketë te bashkëlojtarët përmes përvojës së jashtëzakonshme të fituar gjatë karrierës së tij, veçanërisht gjatë 14 viteve te Real Madridi.

“Ta dëgjosh çdo ditë, të ndihmon të kuptosh se çfarë duhet të bësh nëse dëshiron të fitosh trofe, siç bëri ai për 14 vjet te Real Madridi”, përfundoi mesfushori i Milanit.

Tashmë, Jashari shpreson që lidhja e ndërtuar jashtë fushës me një prej mesfushorëve më të mëdhenj të gjeneratës së tij të shfaqet edhe në lojën e Milanit, me synimin për të ndihmuar skuadrën kuqezi në garat e sezonit të ri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër