Çfarë parasheh ligji i ri për barnat, prodhuesit do të detyrohen të raportojnë mungesat me kohë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Ministria e Shëndetësisë po përgatit një ligj të ri për barnat, i cili parasheh rregulla më të rrepta për disponueshmërinë, sigurinë dhe cilësinë e tyre, si dhe mekanizma për përballimin në kohë të mungesës së terapive të caktuara. Një nga risitë kryesore është edhe propozimi që falsifikimi i barnave të trajtohet si vepër penale.

Në konsultimin kombëtar, të organizuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, theksoi se ligji aktual daton nga viti 2007 dhe deri më tani është ndryshuar më shumë se 20 herë, prandaj është e nevojshme të miratohet një zgjidhje e re ligjore në tërësi.

Sipas paralajmërimeve, ligji i ri do të rregullojë ekskluzivisht fushën e barnave, ndërsa pajisjet mjekësore dhe veprimtaria farmaceutike do të rregullohen në të ardhmen me ligje të veçanta.

Rregulla të reja për mungesën e barnave

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është vendosja e procedurës së detyrueshme për raportimin e mungesës së barnave. Prodhuesit dhe bartësit e autorizimeve do të kenë detyrim që me kohë të informojnë për ndërprerjet e mundshme në prodhim ose furnizim, në mënyrë që institucionet shëndetësore të mund të sigurojnë terapi alternative.

Klekovski theksoi se një pjesë e madhe e këtyre situatave mund të parashikohen paraprakisht dhe se nevojitet koordinim më i mirë ndërmjet institucioneve dhe furnizuesve.

Si shembull, ai përmendi barin „Dekotin“, për të cilin, sipas ministrit, aktualisht ekziston mungesë e vazhdueshme.

Parashikohen gjithashtu rregulla të reja për raportimin e efekteve të padëshiruara të barnave, si dhe harmonizimi i legjislacionit vendor me standardet evropiane.

Falsifikimi i barnave do të bëhet vepër penale

Ministri paralajmëroi se zgjidhja e re ligjore do të përfshijë edhe masa më të rrepta kundër barnave të falsifikuara. Për këtë qëllim do të nevojitet harmonizimi me Kodin Penal, me ç’rast falsifikimi i barnave do të përfshihet në mënyrë të veçantë në legjislacionin penal.

Sa i përket mungesës së terapive në klinika, përfshirë edhe Klinikën e Onkologjisë, Klekovski theksoi se do të kërkohen zgjidhje alternative për pacientët, ndërsa kontratat për prokurimet publike duhet të përmbajnë sanksione për furnizimet që nuk realizohen në afatin e paraparë.

Ministria planifikon gjithashtu bisedime me Fondin e Sigurimit Shëndetësor për vendosjen e planifikimit financiar afatgjatë gjatë prokurimit të barnave.

Barna të reja në listën pozitive në vitin 2027

Me ligjin e ri pritet të thjeshtohen një pjesë e procedurave për regjistrimin e barnave dhe të përmirësohet monitorimi i konsumit të tyre. Këto të dhëna do të jenë të rëndësishme gjatë vlerësimit të mundësive financiare për zgjerimin e listës pozitive të barnave.
Klekovski paralajmëroi se pret që gjatë vitit 2027 në listën pozitive të përfshihen barna të reja.

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vend, doktor Akim Ali, e përshëndeti përgatitjen e zgjidhjes së re ligjore, duke vlerësuar se një legjislacion modern është i domosdoshëm për të garantuar barna të sigurta, efikase dhe të qasshme për qytetarët.

Në përgatitjen e ligjit janë përfshirë përfaqësues të pacientëve, mjekëve, farmacistëve dhe industrisë farmaceutike. Vërejtjet dhe sugjerimet e tyre do të shqyrtohen para se propozim-ligji të dorëzohet në procedurë qeveritare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër