Shkup, 27 janar – Debati mbi marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë po hyn në një fazë të re më komplekse dhe potencialisht më të tensionuar pas zhvillimeve të fundit politike në Sofje dhe ndryshimeve më të gjera në rendin ndërkombëtar. Në këtë kontekst lind pyetja natyrshëm që a duhet Shkupi të kërkojë përafrim pragmatik apo të përgatitet për një distancim nga Bullgaria? shkruan Zhurnal.
Ku kanë ngelur raportet Shkup-Sofje?
Diskutimi në emisionin Win-Win mes profesorëve Aleksandar Spasov dhe Aleksandar Spasenovski e nxori qartë këtë dilemë strategjike se a duhet Shkupi të kërkojë përafrim pragmatik apo të përgatitet për një distancim të kujdesshëm nga Bullgaria?
Sipas profesor Spasenovskit, ndryshimet aktuale nuk mund të shihen të izoluara vetëm në kontekstin dypalësh. Ato lidhen ngushtë me transformimet globale, veçanërisht me rolin e ri dhe gjithnjë e më të paparashikueshëm të Shteteve të Bashkuara në skenën ndërkombëtare. Lidershipi amerikan, tradicionalisht i ndërtuar mbi aleancat euroatlantike dhe mbi përgjegjësinë për ruajtjen e rendit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore, po kalon në një fazë diskontinuiteti. Kjo krijon pasiguri për vendet e vogla, si Maqedonia e Veriut, të cilat historikisht janë mbështetur në këtë arkitekturë sigurie dhe stabiliteti.
Në këtë kontekst të pasigurt global, Spasenovski paralajmëron se Maqedonia e Veriut nuk duhet të presë një periudhë reflektimi të brendshëm dhe zgjidhjeje të shpejtë të çështjeve të brendshme, por përkundrazi, një ngadalësim të procesit të integrimit evropian. Një nga arsyet kyçe është realiteti i ri politik në Bullgari, veçanërisht pas dorëheqjes së presidentit Rumen Radev dhe angazhimit të tij më të drejtpërdrejtë në garën zgjedhore.
Radev, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj çështjes maqedonase, pritet të ketë ndikim më të madh politik në Sofje. Kjo, sipas Spasenovskit, do të thotë një qasje më restriktive të Bullgarisë ndaj interpretimit dhe zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese, si dhe ndaj mënyrës se si Shkupi përpiqet të mbrojë interesat e veta kombëtare. Në vend të fleksibilitetit diplomatik, pritet një periudhë presioni politik dhe interpretimesh më të ngushta të kushteve bullgare.
Përballë kësaj situate, dilema për Maqedoninë e Veriut nuk është thjesht përafrim apo distancim. Sfida reale është gjetja e një balanci mes ruajtjes së dinjitetit dhe interesave shtetërore, nga njëra anë, dhe nevojës për të mos u izoluar në procesin e integrimit evropian, nga ana tjetër. Një përafrim pa kushte do të rrezikonte krijimin e precedentëve të rrezikshëm, ndërsa një distancim i plotë mund të thellojë bllokadën evropiane.
Prandaj, periudha që vjen kërkon maturi strategjike, diplomaci aktive dhe një pozicion të qartë shtetëror. Maqedonia e Veriut duhet të jetë e përgatitur për një qasje më të ashpër nga Sofja, por njëkohësisht të investojë në ndërtimin e aleancave brenda BE-së dhe në artikulimin më të qartë të qëndrimeve të saj në arenën ndërkombëtare. Vetëm kështu, dilema mes përafrimit dhe distancimit mund të shndërrohet në një strategji të qëndrueshme mbrojtjeje të interesit kombëtar.
Kujtojmë që, aktualisht raportet Shkup-Sofje determinojnë fatin e të ardhmes së vendit tonë. Kuvendi duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese ku bullgarët futen si pjesë integraale në mënyrë që vendi të vazhdojë rrugëtimin evropian. Sa i përket zhvillimeve në botë, RMV duhet të ruaj kursinë evropian dhe të mirënjoh kontributin e SHBA-ve për rolin në botë. /Zhurnal.mk

