Christian Stocker: Austria do të mbetet një nga mbështetësit më të mëdhenj të rrugës suaj drejt BE-së

Nga Xh M
390 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Vjenë, 22 prill Zhurnal.mk – Vendi juaj ka qenë për një kohë të gjatë shembull për të gjithë rajonin dhe nuk duam që ky progres të humbasë. Austria do të vazhdojë të jetë një nga mbështetësit më të mëdhenj të rrugës suaj drejt BE-së. Rruga drejt BE-së është rruga e duhur, ajo që çon drejt stabilitetit dhe prosperitetit afatgjatë, tha sot kancelari austriak, Kristian Stoker, në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski.

Siç theksoi Stoker, anëtarësimi duhet të jetë qëllimi përfundimtar i procesit dhe të njëjtat rregulla duhet të vlejnë për të gjithë kandidatët – pa rrugë të shpejta apo të shkurtuara. Ndikimet gjeopolitike dhe pasiguria, tha ai, kanë pasur ndikim të madh, prandaj është shumë e rëndësishme që të mos lihet pas dore Ballkani Perëndimor, sidomos tani.

“Zgjerimi i BE-së është instrumenti më i fortë dhe më efektiv për paqe, siguri dhe prosperitet. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pjesët që mungojnë në mozaikun evropian. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për altruizëm apo interes personal, por edhe për zgjerimin e rrjetit të sigurisë evropiane në fqinjësinë tonë të afërt. Që të avancojmë projektin e suksesshëm të zgjerimit të BE-së, të gjithë duhet t’i përmbushim detyrat e nevojshme. Zgjidhja nuk do të vijë nga jashtë, as nga Brukseli e as nga Vjena. Është koha të lëmë pas dallimet dhe të marrim përgjegjësi gjeopolitike për të mirën e Evropës sonë të përbashkët. Këto diskutime nuk zhvillohen në vakum. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës e ka ndryshuar në mënyrë dramatike peizazhin gjeopolitik. Kjo situatë ka ndikuar edhe në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, është më mirë që Maqedonia e Veriut dhe i gjithë rajoni të ankorohen fuqishëm në familjen tonë – BE. Tani është momenti për të menduar dhe vepruar në mënyrë strategjike, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por për gjithë rajonin. Rajoni nuk mund të lejojë ta humbasë këtë moment gjeopolitik”, theksoi kancelari austriak.

Ai njoftoi se në takimin me Mickoskin është biseduar edhe për bashkëpunimin ekonomik.

“Dy vendet tona janë të lidhura ngushtë dhe kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale në nivel politik, ekonomik dhe kulturor, të forcuara edhe nga diaspora maqedonase e integruar mirë, prej rreth 27.000 personash, të cilët pasurojnë jetën kulturore në Austri. Është e rëndësishme që këtë partneritet ta zgjerojmë me vizionin tonë për të ardhmen evropiane, që është në interes të përbashkët. Kjo vlen edhe për sferën ekonomike. Jam krenar që Austria është investitori më i madh i huaj me rreth 1,3 miliardë euro investime. Edhe ne përfitojmë nga rritja juaj – partneriteti është në interes të përbashkët. Mbi 50 kompani austriake janë të pranishme në Maqedoninë e Veriut dhe punësojnë më shumë se 9.000 persona, kryesisht në sektorët e energjisë, menaxhimit të mbetjeve, bankarisë, tregtisë dhe ndërtimtarisë”, theksoi kancelari austriak.

Stoker shtoi se komponenti qendror i takimit ishte pikërisht dialogu ekonomik. Ai rikujtoi gjithashtu se vendi, së bashku me shtetet e tjera të rajonit, vitin e kaluar iu bashkua SEPA-s dhe vendosi sisteme më efikase për kontrollin kufitar.

“Përfaqësues të lartë të biznesit nga të dy vendet do të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta, ndërsa detyra jonë si drejtues të qeverive është të hapim dyert nëpër të cilat do të kalojnë kompanitë”, nënvizoi Stoker, duke shtuar se Maqedonia e Veriut është partner i vlerësuar në kufizimin e migrimit të paligjshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër