Çuçi: Garantuam shpërndarje më të drejtë të fondeve të emergjencave për bashkitë 

nga D. V.

Kryetari i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Bledar Çuçi bëri të ditur sot se janë rritur grantet që i dedikohen bashkive për emergjencat civile, si dhe është siguruar një shpërndarje më e drejtë e këtyre fondeve mbi bazë risku.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Çuçi bëri një analizë të punës së këtij komisioni gjatë tre muajve të shkuar, ku veçoi miratimin e amendamentit për rritjen e fondit të emergjencave civile.

Sipas Çuçit, gjatë shqyrtimit të buxhetit 2026 në këtë komision u propozua një amendament që parashikonte rritjen me gati 50% të granteve që i dedikohen bashkive për emergjencat civile, krahasuar kjo me propozimin e ardhur nga qeveria.

“Kjo u bë në rakordim të plotë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Financave. Amendamenti i dytë i propozuar nga ky komision dhe i miratuar në Kuvend, ka të bëjë me ndryshimin e formulës së shpërndarjes së këtij fondi, duke i dhënë peshë bashkive bazuar mbi riskun që kanë ndaj emergjencave civile “, tha Çuçi.

Sipas tij, “ky është viti i parë që do të bëhet ky ushtrim dhe do të jetë kontribut shumë i vlefshëm për të shpërndarë para publike aty ku është nevoja, sidomos për parandalimin e   emergjencave civile”.

Çuçi vlerësoi po ashtu edhe zhvillimin e seancës dëgjimore me ministren për Punët e Brendshme, Albana Koçiu, që sipas tij, “ndikoi sadopak në pastrimin e baltës që opozita hedh vazhdimisht në çështjet e sigurisë”.

Ndërkohë, Çuçi informoi se në axhendën e afërt të punës së komisionit janë edhe ndryshimet në Kodin Penal si dhe projektligji për Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sistemit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, që do të kthehet në një agjenci inteligjente. 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More