Cvijanoviq bisedoi për situatën në Ballkan me shefen e stafit të Trumpit

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington 21 shtator Zhurnal.mk – Anëtarja e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, njoftoi në rrjetet sociale se në Shtëpinë e Bardhë është takuar me shefen e kabinetit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me të cilën ka biseduar për situatën në Bosnje dhe rajon, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Ishte kënaqësi të bisedoja sot në Shtëpinë e Bardhë me Susie Wiles, shefen e stafit dhe bashkëpunëtoren më të afërt të presidentit amerikan Donald Trump, për situatën në Bosnjë e Hercegovinë dhe rajon. Po ndërtojmë miqësi të reja dhe po forcojmë ato të vjetrat. Presim me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit”, shkroi Cvijanoviq në rrjetet sociale.

Qeveria e entitetit Republika Sërpska gjatë dhjetë vjetëve të fundit ka angazhuar gjithsej 15 kompani amerikane lobimi dhe firma avokatie, përfshirë edhe përfaqësinë e saj të regjistruar për të njëjtat aktivitete.

Të gjitha kompanitë e lobimit dhe firmat e avokatisë të angazhuara nga qeveria e entitetit të Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë janë të lidhura me qarqet politike republikane në Uashington.

Susie Wiles është një stratege republikane, me bazë në Florida, e cila drejtoi fushatat e Trumpit në këtë shtet në vitet 2016 dhe 2020, si dhe fushatën e suksesshme të Ron DeSantisit për guvernator të Floridës në vitin 2018.

Para kësaj, ajo drejtoi fushatën e Rick Scottit për guvernator të Floridës në vitin 2010 dhe për një kohë të shkurtër shërbeu si menaxhere e fushatës presidenciale të ish-guvernatorit të Jutas, Jon Huntsman, në vitin 2012.

Wiles gjithashtu ka punuar në kabinetet e ish-kryetarëve të Xheksonvillit, John Delaney dhe John Peyton.

Ndryshe, Cvijanoviq së bashku me ish-presidentit e entitetit të Republikës Sërpska u larguan nga lista e sanksioneve amerikane në tetor të vitit 2025, së bashku me 48 anëtarë të familjes së Dodikut, kompanitë e tyre dhe bashkëpunëtorët e afërt.

Megjithatë, Dodik dhe Cvijanoviq mbeten nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër