Danilovski: Mushkonja është fluturake e dobët, qëndron ulët në tokë dhe me spërkatje nuk mund t’i bëni asgjë

Nga Xh M
610 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 gusht Zhurnal.mk – “Prej lart nuk mund t’u bëni asgjë. Këtu e vetmja masë që vjen në konsideratë është dezinfektimi lokal, tokësor”, sqaron epidemiologu.

Sipas tij, masat që po ndërmerren aktualisht nuk janë masa parandaluese, por masa kundër epidemisë.

Spërkatja ajrore nuk ka efekt në një situatë kur kemi gjithnjë e më shumë mushkonja tigër, thotë epidemiologu Dragan Danilovski. Ai thekson disa arsye që kanë çuar në shpalljen këtë javë të epidemisë së etheve të Nilit Perëndimor në disa komuna dhe lagje të Shkupit.

“Vitet e fundit kemi ndryshime klimatike, ngrohja klimatike po intensifikohet gjithnjë e më shumë. Verat zgjasin më shumë, e shihni se çfarë po ndodh me valët e të nxehtit. Këto janë kushte klimatike të përshtatshme për shumimin e mushkonjave dhe insekteve të tjera, të cilat mund të jenë bartëse të sëmundjeve infektive.

Tek ne ka ndodhur qarkullimi i virusit brenda territorit tonë, në ciklin natyror mes mushkonjave dhe shpendëve si rezervuarë natyrorë. Pra, rastet që kemi tek ne tashmë janë autoktone, tonat, nuk janë të importuara.

Arsyeja e tretë është ndoshta se, kur planifikoheshin dezinfektimet sipas kalendarit, insistohej shumë në spërkatjen ajrore. Në një situatë kur kemi gjithnjë e më shumë mushkonja tigër, spërkatja ajrore nuk do të thotë asgjë. Ato janë fluturake të dobëta, qëndrojnë pranë tokës, në shkurre të ndryshme etj., dhe prej lart nuk mund t’u bëni asgjë. Këtu e vetmja gjë që vjen në konsideratë është dezinfektimi tokësor, lokal”, tha Danilovski në emisionin e sotëm “Intervistë në Telma” në TV Telma.

Sipas tij, masat që po ndërmerren tani nuk janë masa parandaluese, por masa kundër epidemisë.

Dje, Qendra për Shëndet Publik – Shkup (QSHP) shpalli epidemi të etheve të Nilit Perëndimor në komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden, si dhe në lagjet Draçevë, Przhino, Dollno Lisiçe, Kadino dhe Jurumleri.

Autoritetet theksuan se nuk ka vend për panik, por për kujdes dhe përgjegjësi. Ata u bënë thirrje qytetarëve të marrin masa për mbrojtje personale, si veshja e rrobave të përshtatshme dhe shmangia e vendeve ku ekspozimi ndaj mushkonjave është i lartë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër